Sot(19 prill) do të nënshkruhet Akti ligjor i Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, është nisur drejt Strasburgut, për të marrë pjesë në ceremoninë e nënshkrimit, ku është ftuar edhe ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz.
Ceremonia e nënshkrimit do të zhvillohet në selinë e Parlamentit Evropian, dhe do të drejtohet nga shefja e këtij institucioni, Roberta Metsola.
Pjesëmarrës në ceremoni do të jetë edhe një përfaqësues i Suedisë, meqë ky shtet kryeson Bashkimin Evropian në këtë periudhë.
Ceremonia do të fillojë në orën 14:45.
Më 18 prill, Parlamenti Evropian e ka miratuar vendimin për vizat, duke përmbyllur procedurat vendimmarrëse për këtë çështje. Miratimi është bërë pa votim, pasi nuk ka pasur asnjë kundërshtim.
Kjo nënkupton se qytetarët e Kosovës do të mund të lëvizin pa viza në vendet e zonës Schengen prej 1 janarit të vitit 2024.
Pas nënshkrimit të vendimit, hapi i fundit mbetet botimi i vendimit në Gazetën Zyrtare.
Regjimi pa viza mundëson udhëtime vetëm deri në 90 ditë – brenda gjashtë muajsh – në cilindo nga shtetet anëtare të zonës Schengen.
Udhëtimet pa viza duhet të shërbejnë për vizita turistike, çështje familjare ose të ngjashme, dhe në asnjë rast nuk nënkuptojnë leje pune ose përfitime të tjera.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




