Kosova

Kurti: Zgjedhjet në veri do të mbahen. Serbia po tenton të frikësojë qytetarët që të mos marrin pjesë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i pyetur mbi mundësinë e destabilizimit të situatës në veri për shkak të zgjedhjeve të pjesshme lokale në 23 prill, u shpreh se nuk ka asnjë informacion të tillë nga agjencitë e hetimit.

Ai tha se zgjedhjet në veri do të mbahen, ngase kjo pjesë e vendit ka nevojë për legjitimitet demokratik dhe funksionimin e institucioneve.

Më tej Kurti shtoi se janë në kontakt të vazhdueshëm me institucionet ndërkombëtare të sigurisë dhe po bëjnë përgatitjet e nevojshme që procesi të shkojë sipas planit.

“Ne zhvillojmë takimet me institucionet ndërkombëtare të sigurisë dhe po bëjmë përgatitje të domosdoshme që gjithçka të shkojë në mënyrë të ndershme dhe demokratike. Kjo duhet të ndodhë për shkak se në njërën anë kemi nevojë për legjitimitet demokratik, por kemi nevojë edhe për funksionim institucional. Kur komunat nuk kanë kryetar ato nuk funksionojnë normalisht”, tha Kurti.

Ai gjithashtu tha se Serbia po bën veprime të caktuara që nëpërmjet propagandës të frikësojë serbët lokalë në veri të vendit në mënyrë që këto të fundit mos të marrin pjesë në zgjedhje.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë