Kosova

Nga 1 janari kosovarët udhëtojnë pa viza, PE voton pro liberalizimit

Parlamenti Europian miratoi vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Miratimi u bë pa votim, pasi nuk kishte asnjë kundërshtim.

“Nuk kam marrë asnjë propozim për të refuzuar qëndrimin e Këshillit [të ministrave të BE-së] dhe asnjë amendament. Prandaj, qëndrimi i Këshillit është miratuar dhe akti i propozuar është miratuar”, tha kryetarja e PE-së, Roberta Metsola.

Një ditë më vonë, më 19 prill, do të nënshkruhet akti ligjor për liberalizimin e vizave, ndërsa hapi i vetëm që duhet të bëhet pas kësaj, është botimi i vendimit në Gazetën Zyrtare të BE-së dhe hyrja në fuqi e tij.

“Qytetarët e Kosovës do të lejohen të udhëtojnë në BE – dhe qytetarët e BE-së të shkojnë në Kosovë – pa kërkuar vizë, për periudha deri në 90 ditë në çdo periudhë 180 ditore. Pas hyrjes në fuqi të ligjit, i gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor do të ketë një kuadër të ngjashëm vizash për zonën Schengen”, thuhet në njoftimin e PE-së në faqen zyrtare të tyre.

Këshilli i ministrave të BE-së e ka miratuar me shumicë të thjeshtë liberalizimin e vizave për Kosovën, muajin e kaluar.

“Liberalizimi i vizave tashmë është realitet”, tha Qeveria e Kosovës në një komunikatë dërguar mediave.

Tashmë është e qartë se zbatimi i vendimit nuk do të shtyhet më larg se 1 janari i vitit 2024.

Kjo çështje ka qenë e lidhur me sistemin ETIAS të udhëtimit në Evropë, përkatësisht me hyrjen e tij në fuqi.

Meqë afati për funksionalizimin e ETIAS-it është shtyrë për në vitin 2024, heqja e vizave për qytetarët e Kosovës pritet të bëhet më 1 janar të vitit të ardhshëm.

Në Parlamentin Europian nuk pritej të kishte ndonjë problem gjatë procedurës së miratimit, pasi një shumicë e madhe e deputetëve e mbështet liberalizimin e vizave për Kosovën.

Në fakt, Parlamenti Europian ka qenë institucioni i BE-së, i cili më së shumti e ka mbështetur lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës dhe vazhdimisht ka qortuar Këshillin e BE-së dhe Komisionin Evropian për, siç është thënë, vonesa të panevojshme në këtë proces.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë