Bashkimi Evropian ka insistuar sërish që Kosova dhe Serbia e kanë për obligim që të zbatojnë të gjitha pikat e Marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve, bashkë me aneksin për të, pasi në të kundërtën do të përballen me pasoja.
Lidhur me zbatimin e kësaj Marrëveshjeje ka folur përsëri këtë të martë zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.
Ai u është përgjigjur pyetjeve rreth deklaratave të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, i cili është cituar – nga mediat në Serbi – të ketë thënë se do t’i zbatojë disa pjesë të Marrëveshjes, por disa tjera nuk do t’i pranojë.
Vuçiç, po ashtu, është cituar të ketë thënë se, qëndrimet e tij për moszbatim të disa pikave të Marrëveshjes, ua ka shprehur qartë disa bashkëbiseduesve evropianë.
Një deklaratë e tillë e presidentit të Serbisë është në kundërshtim me deklaratat e kryediplomatit të BE-së, Josep Borell, se palët janë pajtuar për të gjitha pikat e Marrëveshjes, dhe për të gjitha pikat e aneksit për zbatimin e saj.
Duke u përgjigjur në pyetjen se “a është e vdekur Marrëveshja, pasi njëra palë thotë se nuk do t’i zbatojë disa pjesë të saj”, zëdhënësi i BE-së ka thënë se “Marrëveshja është e gjallë dhe në lëvizje“.
“Përderisa nuk komentojmë deklaratat e mundshme, pa e njohur kontekstin, dhe pa dashur të hymë në komente të secilës deklaratë rreth kësaj Marrëveshjeje, dua të fokusohem në Marrëveshjen si të tillë.
Të dyja palët, Kosova dhe Serbia, u pajtuan në Ohër që të nisin menjëherë zbatimin e të gjitha pjesëve të Marrëveshjes, përfshirë edhe aneksin. Kjo është ajo për çfarë jemi pajtuar. Ky është obligimi politik që të dyja palët morën dhe ajo që shtetet anëtare dhe institucionet e BE-së presin nga ato”, ka thënë Stano, duke përsëritur se është shumë qartë se ajo për çfarë janë pajtuar palët, duhet të zbatohet.
“Pikat e Marrëveshjes, si dhe aneksi, do të përfshihen në kapitullin 35 të kornizës negociuese në rastin e Serbisë. Kjo do të thotë se Serbia ka obligim kontraktual që të zbatojë pikat e Marrëveshjes, nëse dëshiron të arrijë progres në procesin e anëtarësimit. Pra, kemi një marrëveshje dhe një obligim që ajo të zbatohet, pa zgjedhur pjesë të saj“, ka thënë Stano duke shtuar se moszbatimi do të ketë pasoja edhe për reputacionin ndërkombëtar.
Sipas tij, zbatimi është kyç për palët që të dëshmojnë se sa janë partnere të besueshme për BE-në dhe vendet anëtare.
Mes tjerash, Stano ka thënë se do të monitorohet qartë niveli i zbatimit, dhe nëse nuk zbatohen pjesë të Marrëveshjes, do të ketë pasoja për rrugëtimin e Serbisë drejt BE-së, por edhe pasoja financiare.
“Monitorimi i zbatimit në terren, i veprimeve të palëve, do të jetë mjeti kryesor i Bashkimit Evropian, vendeve anëtare dhe bashkësisë ndërkombëtare, për të gjykuar përparimin, dhe a është apo jo marrëveshja gjallë. Dhe natyrisht do të ketë pasoja. Do të ketë pasoja politike, pasoja për reputacion por edhe pasoja financiare“ ka thënë ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




