Kosova

Bërnabiç thotë se tensionet në veri të Kosovës po rriten sërish

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiç ka thënë se këtë javë do të mbahet një takim me përfaqësuesit e serbëve të Kosovës për të diskutuar rreth situatës në veri.

Bërnabiç po pretendon se tensionet po rriten sërish në Kosovë, ndërkohë ka kritikuar komunitetin ndërkombëtar.

“Ajo që është e tmerrshme dhe ajo që na frikëson e shqetëson është se tensioni po rritet sërish. Numri i provokimeve është në rritje. Komuniteti ndërkombëtar është ende i heshtur”, ka deklaruar Bërnabiç.

Ditëve të fundit, në veri të Kosovës është raportuar për djegien e disa makinave të pronarëve serbë, të cilat kanë qenë të regjistruara me targa RKS – Republika e Kosovës.

Më pas, Policia e Kosovës njoftoi se kishte arrestuar një pjesëtar të komunitetit serb në Mitrovicën e Veriut nën dyshimin se, ndër të tjera, ka marrë pjesë në djegien e një makine.

Bërnabiç deklaroi se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe ka 10 vite që po pret të krijohet dhe se institucionet kosovare po e shmangin me çdo kusht.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë