Kryediplomati evropian, Josep Borell, ka konfirmuar se shefat negociatorë të Kosovës dhe Serbisë, kanë arritur pajtueshmëri më 4 prill për deklaratën për persona të pagjetur.
Në këtë nivel negociatash, Kosova përfaqësohet nga zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi, ndërsa Serbia nga drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç.
Përmes një postimi në Twitter, Borell ka thënë se planifikohet që teksti i deklaratës për personat e pagjetur të miratohet në takimin e radhës të nivelit të lartë.
Një ditë më parë, Bislimi ka thënë se takimi i nivelit të lartë – mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiç – do të mund të zhvillohet më 22 prill.
Mirëpo, Borrell nuk ka përmendur ndonjë datë.
“Kosova dhe Serbia janë zotuar për Marrëveshjen drejt normalizimit të marrëdhënieve dhe aneksin e zbatimit. BE-ja pret që të dyja vendet të zbatojnë obligimet dhe të nisin sa më shpejt zbatimin. Palët duhet të shmangin çdo përshkallëzim. Përmbushja e zotimeve përkthehet në përparim drejt rrugës së tyre evropiane”, ka thënë mes tjerash Borell.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




