Kosova

Bislimi dhe Petkoviç takohen sot në Bruksel, do diskutojnë edhe për targat

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi dhe shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç pritet të takohen sot(4 prill) në Bruksel për diskutuar për hapat e ardhshëm në zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Qeveria e Kosovës tha dje se Bislimi ka udhëtuar të hënën drejt Brukselit, “ku do të marrë pjesë në takimet e radhës në kuadër të procesit të dialogut”.

Ky takim do të organizohet me ftesë të ndërmjetësuesit të dialogut, Mirosllav Lajçak. Si zakonisht delegacionet e Kosovës dhe Serbisë do të kenë takime të ndara bilaterale me Lajçakun, dhe më pas vjen takimi trilateral.

Ata pritet që të diskutojnë edhe për çështjen e targave.

Bashkimi Evropian tha të hënën se shpreson që ajo që ka ndodhur ditëve të fundit në veri të Kosovës nuk do të ndikojë në takimin e kryenegociatorëve të Prishtinës dhe Beogradit.

Bashkimi Evropian e ka quajtur marrëveshjen si kalim në një fazë të re në dialog, nga faza e krizave në një fazë të normalizimit. Por, zhvillimet e fundit në veri e kanë kthyer frikën e përseritjes s tensioneve.

Mbrëmjen e së shtunës janë djegur tri makina në Leposaviq, komunë e banuar me shumicë serbe në veri të Kosovës. Dy prej tyre ishin me targa RKS, ndërsa njëra me targa të Beogradit. Më pas, Policia e Kosovës njoftoi se kishte arrestuar një pjesëtar të komunitetit serb në Mitrovicën e Veriut nën dyshimin se, ndër të tjera, ka marrë pjesë në djegien e një makine.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë