Inteligjenca Artificiale

A do t’ia besonit shqetësimet tuaja “terapistëve” të inteligjencës artificiale?

A do ta ndanit ankthin tuaj me Alexan? Apo ndoshta të kërkoni Sirin për mbështetje emocionale pas një dite stresuese? Njerëzit po u drejtohen gjithnjë e më shumë chatbot-eve ose aplikacioneve për të marrë përgjigje për pyetjet e tyre.

Dhe ndërsa këto sisteme, të mundësuara nga softueri i inteligjencës artificiale bëhen gjithnjë e më të sofistikuara, ato kanë filluar të japin përgjigje të detajuara, që shumë herë është e vështirë të dallohen nga përgjigjet e një profesionisti. Por a do të jenë ndonjëherë chatbot-et të mirë mjaftueshëm sa të bëhen terapistë profesionistë?

Programuesja Eugenia Kuyda është themeluesja e ‘Replika’, një aplikacion chatbot në SHBA që thotë se u ofron përdoruesve një "shok AI që kujdeset, gjithmonë gati për të dëgjuar dhe folur dhe gjithmonë në anën tuaj”.

I lançuar në vitin 2017, tani ka më shumë se dy milionë ‘klientë’ aktivë.

Kuyda thotë se njerëzit që përdorin aplikacionin varjojnë nga fëmijët autikë që i drejtohen atij si një mënyrë për t'u “ngrohur” përpara ndërveprimeve njerëzore, tek të rriturit që janë thjesht të vetmuar dhe kanë nevojë për një mik.

Të tjerë thuhet se përdorin ‘Replika’ për të praktikuar intervista pune, për të folur për politikën, apo edhe si këshilltare martese.

Dhe ndërsa aplikacioni është krijuar kryesisht për të qenë një mik apo shok, krijuesit e tij gjithashtu pretendojnë se mund të ndihmojë në shëndetin mendor, si dhe u mundëson përdoruesve të ndërtojnë zakone më të mira dhe të reduktojnë ankthin.

Në të gjithë botën ka pothuajse një miliard njerëz me çrregullime mendore, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH). Kjo është më shumë se 1 person në 10.

OBSH shton se “vetëm një pjesë e vogël e njerëzve në nevojë kanë akses në kujdesin efektiv, të përballueshëm dhe cilësor të shëndetit mendor”.

Dhe ndërsa kushdo që shqetësohet ose për veten e tij ose për një të afërm, duhet të shkojë te një profesionist në radhë të parë, rritja e terapistëve të shëndetit mendor chatbot mund t'u ofrojë shumë njerëzve një mbështetje pa shpenzime.

Paul Marsden, anëtar i Shoqatës Psikologjike Britanike, thotë se aplikacionet që synojnë të përmirësojnë mirëqenien tuaj mendore mund të ndihmojnë, por vetëm nëse gjeni atë të duhurin dhe nëse nuk mbështeteni 100% tek to.

“Unë kontrollova dhe kishte më shumë se 300 aplikacione vetëm për ankthin dhe është e rëndësishme të dini se kush është i duhuri. Ato duhet të shihen vetëm si një shtesë e terapisë personale. Konsensusi është se aplikacionet nuk zëvendësojnë terapinë njerëzore”, thotë ai.

Marsden thekson faktin se kompani si OpenAI, kompania që qëndron pas ChatGPT-së së fundit, po ndihmojnë edhe teknologjitë e tjera.

Kuyda argumenton se Replika është një aplikacion shoqërues, si të kesh një kafshë shtëpiake, në vend të një mjeti të shëndetit mendor. Ajo shton se nuk duhet parë si një zëvendësim për ndihmën nga një terapist njerëzor.

“Terapia e jetës reale ofron njohuri të jashtëzakonshme në psikikën njerëzore, e cila nuk është vetëm përmes tekstit ose fjalëve, por duke ju parë personalisht dhe duke parë gjuhën e trupit, përgjigjet tuaja emocionale si dhe një njohuri të jashtëzakonshme të historisë suaj”, thotë ajo.

Aplikacionet e tjera në sektorin e shëndetit mendor janë shumë më të kujdesshëm në lidhje me përdorimin e AI në radhë të parë. Një prej tyre është aplikacioni i meditimit Headspace, i cili ka më shumë se 30 milionë përdorues dhe në Britani është miratuar nga NHS.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë