Gazeta Si – Brenda rreth 12 orësh mes mbrëmjes së të dielës dhe mëngjesit të kësaj të hëne, rrugët e vendit janë përgjakur nga 3 ksidente, ku kanë mbetur të vdekur 4 persona në Librazhd, Durrës dhe Tiranë.
Mes viktimave është edhe një këmbësor që u godit për vdekje nga një automjet, teksa tentoi të kalojë rrugën në zonën e Astirit në kryeqytet.
Një çift bashkëshortësh humbën jetën mëngjesin e kësaj të hëne, pasi makina me të cilën udhëtonin ra të dielën në mbrëmje në një përrua në aksin Librazhd-Prrenjas në afërsi të fshatit Pishkash.
Sipas policisë, rreth orës 07:45, shtetasi A. Y., rreth 55 vjeç, banues në Devoll, duke drejtuar automjetin tip “Volkswagen”, ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit dhe për pasojë automjeti ka dalë nga rruga dhe ka rënë në përroin e Lengajcës.
Nga ky aksident kanë humbur jetën shtetasi A. Y. dhe bashkëshortja e tij, shtetasja M. Y., rreth 50 vjeçe, e cila ishte pasagjere në këtë automjet.

Sipas të dhënave paraprake, çifti ishte duke komunikuar në telefon me familjarët e tyre, por papritur linja u shkëput, në orën 20:00 të së dielës, duke bërë që familjarët të kuptonin se diçka kishte shkuar keq.
Ndaj dhe familjarët kanë lajmëruar policinë dhe kanë kërkuar gjatë gjithë aksit Pishkash-Përrenjas. Mjeti u gjet i rënë në përrua, por bashkëshortët fatkeqësisht kishin humbur jetën.
Mbrëmjen e të dielës, një tjetër aksident me pasojë vdekjen ndodhi në Durrës rreth orës 21:45. Një makinë ka përplasur një motor në aksin Sukth-Manëz, duke i shkaktuar vdekjen pasagjerit që ndodhej në motomjet.
Viktima është identifikuar me inicialet M.M., ndërsa drejtuesi i motorit ka mbetur i plagosur dhe ndodhet në spital.
Policia tha sot se viktima ka humbur jetën si pasojë e dy përplasjeve nga dy automjete. Fillimisht, ishte makina me shofer shtetasin A.H., që përplasi motomjetin, ku viktima ishte pasagjer, e pasi ky i fundit ra në rrugë, është goditur dhe nga një tjetër makinë me shofer H.H. Të dy shoferët e dy automjeteve janë larguar nga vendi i aksidentit, por pas disa orësh janë identifikuar dhe arrestuar nga policia këtë të hënë.

Po të dielën rreth orës 19:20 në Tiranë një këmbësor u përplas për vdekje në zonën e Astirit.
Këmbësori kaloi nga njëra anë e trotuarit, duke tentuar të kapërcejë në anën tjetër të rrugës kryesore të Unazës së Madhe.
Teksa ka kaluar njërën gjysmën e karrexhatës në këmbë dhe ka kapërcyer murin ndarës mes korsive, tenton të kalojë gjysmën tjetër. Por fatkeqësisht, është përplasur nga një prej automjeteve.
Goditja ka qenë e fortë dhe viktima ka humbur jetën në vendin e ngjarjes. Policia e Tiranës ka arrestuar sot drejtuesin e automjetit që shkaktoi aksidentin, ai është shtetasi P. M. (M)., 30 vjeç, banues në Durrës. Sipas Policisë, viktima është ende i paidentifikuar, teksa nga pamjet shihet se është relativisht i ri.
Nj aksidenti tjetër u regjistrua edhe mbrëmjen e të shtunës në Fier, por për fat të mirë pa viktima. Një makinë tip “Mercedes Benz” dhe një “Reno” u përplasën mes tyre në vendin e quajtur ‘By passi’ i qytetit.
Policia beri me dije se dy personat kanë përfunduar në spital, ndërsa po vazhdojnë hetimet për zbulimin e përgjegjësit të aksidentit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje