Inteligjenca Artificiale

Çfarë ka pas ndalimit të ChatGPT në Itali dhe a mund të jetë SHBA shteti i radhës

Ky vendim u mor pas një shkeljeje të të dhënave e cila ekspozoi bisedat e përdoruesve të ChatGPT dhe informacione të tjera të ndjeshme.

Italia u bë vendi i parë perëndimor dje që bllokoi chatbot-in e avancuar të inteligjencës artificiale(AI) ChatGPT-në.

Autoriteti italian i mbrojtjes së të dhënave deklaroi se kishte shqetësime për privatësinë në lidhje me modelin, i cili u krijua nga start-upi amerikan OpenAI dhe mbështetet nga Microsoft.

Rregullatori tha se do të ndalonte dhe hetonte OpenAI "me efekt të menjëhershëm" por OpenAI ka thënë për BBC-në se ishte në përputhje me ligjet e privatësisë.

Miliona njerëz kanë përdorur ChatGPT që nga lancimi i tij në nëntor 2022.

Ai mund t'u përgjigjet pyetjeve duke përdorur gjuhë natyrale, të ngjashme me njeriun dhe gjithashtu mund të imitojë stile të tjera të të shkruarit.Microsoft ka shpenzuar miliarda dollarë për të.

Ka pasur shqetësime mbi rreziqet e mundshme të inteligjencës artificiale (AI), duke përfshirë kërcënimin e saj ndaj vendeve të punës dhe përhapjen e dezinformatave dhe paragjykimeve.

Mbikëqyrësi italian tha se jo vetëm që do të bllokonte chatbot-in e OpenAI-t, por do të hetonte gjithashtu nëse ai ishte në përputhje me Rregulloren e Përgjithshme të Mbrojtjes së të Dhënave.

GDPR rregullon mënyrën në të cilën ne mund të përdorim, përpunojmë dhe ruajmë të dhënat personale.Ai tha se nuk kishte bazë ligjore për të justifikuar "mbledhjen dhe ruajtjen masive të të dhënave personale për qëllimin e 'trajnimit' të algoritmeve që qëndrojnë në themel të funksionimit të platformës".

Ai tha gjithashtu se duke qenë se nuk kishte asnjë mënyrë për të verifikuar moshën e përdoruesve, aplikacioni "i ekspozon të miturit ndaj përgjigjeve absolutisht të papërshtatshme në krahasim me shkallën e tyre të zhvillimit dhe ndërgjegjësimit".

Diku tjetër, komisioni irlandez i mbrojtjes së të dhënave i tha BBC-së se po vazhdon me rregullatorin italian për të kuptuar bazën e veprimit të tyre dhe "do të koordinohet me të gjitha autoritetet e mbrojtjes së të dhënave të BE" në lidhje me ndalimin.

Zyra e Komisionerit të Informacionit, rregullatori i pavarur i të dhënave në Mbretërinë e Bashkuar, i tha BBC-së se do të "mbështesë" zhvillimet në AI, por se ishte gjithashtu gati të "sfidonte mospërputhjen" me ligjet për mbrojtjen e të dhënave.

Dan Morgan, nga ofruesi i vlerësimeve të sigurisë kibernetike SecurityScorecard tha se ndalimi tregon rëndësinë e pajtueshmërisë rregullatore për kompanitë që operojnë në Evropë.

"Bizneset duhet t'i japin përparësi mbrojtjes së të dhënave personale dhe të respektojnë rregulloret e rrepta të mbrojtjes së të dhënave të vendosura nga BE - pajtueshmëria me rregulloret nuk është një shtesë opsionale."

'Jo i rregulluar mjaftueshëm'

Grupi i avokimit të konsumatorëve BEUC u bëri thirrje gjithashtu autoriteteve të BE-së dhe kombëtare - duke përfshirë vëzhguesit e mbrojtjes së të dhënave - të hetojnë ChatGPT dhe chatbot të ngjashëm, pas paraqitjes së një ankese në SHBA.

Megjithëse BE-ja aktualisht po punon për legjislacionin e parë në botë për AI, shqetësimi i BEUC është se do të duhen vite përpara se Akti i AI të mund të hyjë në fuqi, duke i lënë konsumatorët në rrezik të dëmtimit nga një teknologji që nuk është e rregulluar mjaftueshëm.

Ursula Pachl, zëvendësdrejtoresha e përgjithshme e BEUC, paralajmëroi se shoqëria "aktualisht nuk është e mbrojtur mjaftueshëm nga dëmi" që mund të shkaktojë AI.

"Ka shqetësime serioze në rritje rreth mënyrës sesi ChatGPT dhe chatbots të ngjashëm mund të mashtrojnë dhe manipulojnë njerëzit. Këto sisteme të AI kanë nevojë për një shqyrtim më të madh publik dhe autoritetet publike duhet të rivendosin kontrollin mbi to," tha ajo.

ChatGPT është bllokuar tashmë në një numër vendesh, duke përfshirë Kinën, Iranin, Korenë e Veriut dhe Rusinë.

OpenAI i tha BBC-së se kishte çaktivizuar ChatGPT për përdoruesit në Itali me kërkesë të rregullatorit italian të mbrojtjes së të dhënave, të quajtur Garante:

“Ne jemi të përkushtuar të mbrojmë privatësinë e njerëzve dhe besojmë se jemi në përputhje me GDPR dhe ligjet e tjera të privatësisë”, shkruante ai.

A mund të jetë SHBA-ja shteti i radhës që do ta ndalojë? 

Drejtuesit e teknologjisë në SHBA kanë filluar tashmë të bëjnë thirrje për një ndalim të përkohshëm të zhvillimeve të mëtejshme të AI.

Në fillim të kësaj jave, CEO i Tesla-s, Elon Musk, bashkë-themeluesi i Apple, Steve Wozniak dhe Emad Mostaque, CEO i Stability AI ishin ndër udhëheqësit e teknologjisë që nënshkruan një peticion që u bën thirrje laboratorëve të AI të ndalojnë, për të paktën gjashtë muaj, trajnimin e AI.

Ashtu si ndalimi i Italisë, ndërprerja e kërkuar nga peticioni ka për qëllim të mbrojë shoqërinë nga "rreziqet e thella për shoqërinë dhe njerëzimin" që mund të provokojnë sistemet e AI me inteligjencë konkurruese njerëzore.

Peticioni madje u kërkon ligjvënësve amerikanë të marrin në konsideratë ndërhyrjen nëse pauza nuk bëhet nga vetë laboratorët e AI. 

Burimi: BBC/Përshtati Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë