Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të mërkurën(29 mars) se Marrëveshja e arritur me Serbinë për normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve, duhet të zbatohet saktë dhe shpejt.
Ai i ka bërë këto deklarata teksa ka komentuar takimin e planifikuar për 4 prill në Bruksel, në mes të dy kryenegociatorëve në dialogun Kosovë-Serbi.
Kryenegociatori i Kosovës për këto takime është zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi, ndërsa i Serbisë është udhëheqësi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkovç.
“Më 4 prill, ata do të diskutojnë çështjen e zbatimit të Marrëveshjes që tashmë është dakorduar. Pra, ka marrëveshje, ekziston marrëveshja. Ajo është shumë e qartë, publike për të gjithë”.
Kurti u ka thënë gazetarëve në Prishtinë se Marrëveshja duhet të zbatohet e tëra.
“Nuk ka mundësi që diçka të zbatohet e diçka të mos zbatohet. Ashtu siç nuk mund të ketë nënshkrim të njëanshëm të Marrëveshjes, dhe as të aneksit të zbatimit, njësoj nuk mund të ketë as zbatim të njëanshëm të Marrëveshjes. Prandaj, Marrëveshjen nuk duhet ta coptojmë”, ka thënë ai.
Edhe Bashkimi Evropian ka konfirmuar se në takimin e 4 prillit palët do të diskutojnë për hapat e radhës drejt zbatimit të Marrëveshjes.
I pyetur për urgjencat eventuale në zbatim të Marrëveshjes, ai ka thënë se ky term vlen për çështjen e të pagjeturve.
Gjatë luftës në Kosovë janë vrarë rreth 13.000 njerëz, janë zhvendosur mbi 800.000, ndërsa janë zhdukur rreth 6.000.
Të zhdukur, edhe sot e kësaj dite, mbeten ende mbi 1.600 persona.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




