Agjencia ndërkombëtare e vlerësimit Standard & Poor’s (S&P) konfirmon për Shqipërinë vlerësimin në “B+”, si dhe me perspektivë “të qëndrueshme”, në rishikimin më të fundit, sipas njoftimit të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë.
Agjencia parashikon se rritja reale e PBB-së do të ngadalësohet në 2.4% këtë vit për shkak të kërkesës më të dobët nga Evropa, politikës monetare më të shtrënguar dhe reduktimit të stimulit fiskal.
Më pas, rritja do të rikuperohet në një mesatare prej 3%, e mbështetur nga lehtësimi i kushteve financiare dhe përmirësimi i aktivitetit ekonomik global. Deficiti fiskal do të ngushtohet në 3.2% të PBB-së në vitin 2023.
Sipas agjencisë, perspektiva e qëndrueshme pasqyron pikëpamjen se Shqipëria mund të vazhdojë të menaxhojë efektet indirekte ekonomike nga konflikti Rusi-Ukrainë.
Agjencia gjithashtu parashikon që deficiti i llogarisë korente mbetet përgjithësisht i qëndrueshëm, në 6.9% të PBB-së në vitin 2023, kryesisht për shkak të importeve më të lira të energjisë dhe lëndëve të para. Megjithatë, deficiti tregtar i mallrave të Shqipërisë do të mbetet relativisht i lartë, por do të kompensohet disi nga një rritje e fortë në remitancat e emigrantëve dhe eksportet e shërbimeve, në veçanti të ardhurat nga turizmi.
“Sektori bankar i Shqipërisë vlerësohet likuid, i mirëkapitalizuar dhe fitimprurës. Kreditë me probleme arritën në 5% të kredive në dhjetor, krahasuar me një kulm prej gati 25% në vitin 2014”, theksohet në njoftim.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



