Sociale

Nis sot Muaji i Shenjtë i Ramazanit

Gazeta Si - Ka nisur këtë të enjte 23 mars Muaji i Shenjtë i Ramazanit për të gjithë besimtarët myslimanë në mbarë botën, që është simbol i sakrificës dhe muaji më i shenjtë i kalendarit islamik.

Një ditë më parë, Kryetari i Komiteti Mysliman Shqiptar, Bujar Spahiu ka uruar besimtarët myslimane për nisjen e muajit të Ramazanit e shton se që ky muaj të jetë muaji i faljes, muaji i begatisë, muaji mirëkuptimit të ndërsjellët me njëri-tjetrin. Spahiu fton besimtarët që të jenë më solidarë me familjet në nevojë, t’i shtrijmë dorën njëri-tjetrit në punë të mira.

Muaji i Ramazanit përfundon më 20 prill, ndërsa nata e Kadrit këtë vit është në datën 17 prill.

Falja e Bajramit në datë 21 prill pritet të bëhet edhe këtë vit në sheshin Skënderbej ku festa do të jetë e dyfishtë pasi Komuniteti Mysliman në Shqipëri feston 100-vjetorin e themelimit.

Ramazani është muaji më i shenjtë i myslimanëve që janë rreth 1.6 miliardë në mbarë botën dhe koha e vitit në të cilën festohet është e njëjtë në të gjitha vendet islame.

Për një muaj, çdo ditë ata nuk do të konsumojnë ushqime ose pije, duke nisur që nga lindja e diellit e deri në perëndimin e tij. Libri i shenjtë Kurani, e përcakton agjërimin  një nga pesë shtyllat kryesore islame, simbol i sakrificës.

Tradita ka nisur që në shekullin e nëntë dhe përkujton muajin kur profeti Muhamed ishte mbyllur në një shpellë, në veri të Mekës, për ripërtëritje shpirtërore.

Njerëzit në mbarë botën nisin ritin, i cili vijon për 30 ditë me radhë. Në fund të muajit të shenjtë të Ramazanit vjen Fitër Bajrami, festë simbolike e fesë islame.

Pjesa më e madhen e qytetarëve që agjërojnë ndodhen në Egjipt, Arabinë Saudite, Liban, Jordani, Kuvajt, Katar, Algjeri, Tunizi, Jemen, Siri, Irak, Iran, Turqi, Kosovë, Shqipëri e shumë shtete të tjera.

Ramazani varet nga fazat hënore ose më saktë nga vëzhgimi i hënës së re (hilal).

Ky fakt ka dy pasoja. E para është se Ramazani mund të fillojë në data të ndryshme nga njëri vend në tjetrin.

E dyta është se çdo vit Ramazani fillon para vitit të kaluar dhe ka vite kur festohet në dimër, kur ditët janë më të shkurtra.

Në këtë periudhë historike, në hemisferën tonë, Ramazani bie në pranverë / verë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë