Kosova

Vuçiç: S’kam ndryshuar qëndrim për marrëveshjen e anëtarësimit të Kosovës në OKB

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha se qëndrimi i tij sa i përket marrëveshjes për normalizimin e raporteve me Kosovën nuk ka ndryshuar “as edhe një pikë” dhe ka ripërsëritur se Beogradi nuk do të zbatojë pjesët e marrëveshjes që kanë të bëjnë me anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara.

“Nuk ka bisedime për anëtarësimin në Kombet e Bashkuara dhe nuk ka njohje. Çdo gjë tjetër që nënkupton normalizim të vërtetë të raporteve, pa tensione dhe pa konflikte, Serbia do t’i zbatojë”, deklaroi Vuçiç sot (21 mars) pasi u takua në Beograd me kryediplomatin e Italisë, Antonio Tajani.

Në takimin në Ohër të Maqedonisë së Veriut më 18 mars, Kosova dhe Serbia u pajtuan për Aneksin e zbatimit të Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve mes tyre.

Edhe pse presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk nënshkruan asnjë dokument në Ohër, ndërmjetësuesit evropianë thanë se presin që palët të zbatojnë gjithçka për të cilat u pajtuan liderët.

Kosova dhe Serbia u pajtuan se nuk do të bllokojnë zbatimin e asnjë neni të marrëveshjes.

Marrëveshja, që njihet edhe si propozimi evropian, kërkon nga Beogradi që të mos e pengojë Kosovën të anëtarësohet në organizata ndërkombëtare.

Kosova, në anën tjetër, është pajtuar që të punojë në ofrimin e një niveli të përshtatshëm të vetëmenaxhimit të komunitetit serb në Kosovë, bazuar në marrëveshjet paraprake të arritura në dialog.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar ndërkohë se faktori ndërkombëtar duhet ta "dënojë" Serbinë për mosnënshkrimin e marrëveshjes në Ohër.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë