Kosova

Marrëveshja e Ohrit, opozita në Serbi e revoltuar, kërkon largimin e Vuçiç

Opozita në Serbi kërkon dorëheqjen e presidentit Aleksandër Vuçiç.

Pas arritjes së pajtimit me Kosovën për të zbatuar propozimin e Bashkimit Europian për normalizimin e marrëdhënieve, anëtarët e opozitës kanë shprehur rezerva ndaj presidentit serb.

Kryetari i Lëvizjes së Qytetarëve të Lirë, Pavle Gërboviç, e ka vlerësuar si lajm shumë të rëndësishëm faktin që Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, do të bëhet pjesë e kornizës së negociatave dhe pjesë e kapitullit 35 në negociatat e Serbisë për anëtarësim në Bashkimin Europian.

“Është e pamundur të jesh politikan pro-evropian, të angazhohesh për anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian dhe të jesh kundër kësaj marrëveshjeje. Pyetja për ne është se a pranojmë të jemi pjesë e hapësirës politike të krijuar nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, apo jo”, ka thënë ai në TV N1.

Lideri i lëvizjes së djathtë Dveri, Boshko Obradoviç, vlerësoi se zgjidhja e vetme e krizës politike është dorëheqja e presidentit Vuçiç dhe bëri thirrje për tubime të qytetarëve kundër planit evropian.

Ai theksoi se Vuçiç “në mënyrë të paautorizuar ka marrë përsipër obligimin” në Ohër që të fillojë zbatimin e Marrëveshjes që e ka pranuar më 27 shkurt në Bruksel, të cilën Obradoviç e ka vlerësuar si një lloj grushti shteti.

Kundër pranimit të Marrëveshjes është edhe kryetarja e partisë së djathtë serbe Zavetnici (Të betuarit), Milica Gjurgjeviç-Stamenkovski.

Ajo vlerësoi për TV N1, se presidenti Vuçiç të shtunën u pajtua me ultimatumin “në tërësinë dhe në kapacitetin e plotë të tij”.

“Në aneks qëndron termi ‘obligohen’. Terma të tillë gjenden në marrëveshjet ndërkombëtare”, tha ajo.

Megjithatë, Vuçiç ka tentuar sërish që të ndryshojë qëndrimin e tij, të premtuar verbalisht ndaj ndërmjetësuesve ndërkombëtarë, Josep Borrell, Miroslav Lajçak dhe Gabriel Escobar, duke sqaruar se zbatimi i planit të BE-së do të bëhet deri në vijat e kuqe të Serbisë.

“Republika e Serbisë është një vend i njohur ndërkombëtarisht, ndërsa ajo siç e quajnë Republika e Kosovës, për mua nuk është e njohur ndërkombëtarisht. Nuk dua të bëj marrëveshje ndërkombëtare me Republikën e Kosovën”, tha Vuçiç.

Vuçiç përsëriti edhe njëherë ato vija të kuqe.

“Pas çdo samiti dhe takimi, në çdo vend, unë pa mëdyshje flas për vijat e kuqe të Serbisë, që kanë të bëjnë me kundërshtimin e pranimit të Kosovës shtet i pavarur, dhe pranimit të Kosovës në OKB. Siç e dini, edhe në takimin e fundit e kam thënë, se askush, asnjëherë nuk mund t’i vendosi obligim ligjor Serbisë për atë që Serbia nuk e ka pranuar. Prandaj, nuk kam nënshkruar atë që BE-ja e ka quajtur marrëveshje e as aneksin”, shtoi ai.

Ndër të tjera, presidenti serb sqaroi marrëveshjen për të pagjeturit, të arritur 18 gushtin e kaluar, duke pretenduar se nuk ka pranuar përdorimin e termit “zhdukje me forcë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë