Gazeta Si – Klevis Ruçaj, 20-vjeçari që ndërroi jetë një natë më parë gjatë aksidentit tragjik me tre viktima te mbikalimi i TEG-ut, kishte një vit e pak muaj që ishte pajisur me patentë.
Edhe pse kishte pak kohë që ishte drejtues mjeti, i ri ishte ndëshkuar pesë herë nga policia për shkelje të ndryshme të qarkullimit rrugor. Një natë më parë, 20-vjeçari dyshohet se ishte me shpejtësi mbi 200 km/h
Sipas burimeve të policisë, ai kishte bërë disa shkelje radhazi, duke nisur që nga muaji shtator i vitit të shkuar dhe deri janar të këtij viti.
Konkretisht është ndëshkuar: për parakalim dhe veprime të ndaluara më 6 shtator 2022; nuk zbatoi sinjalistikën 7 tetor 2022; gjobitje për shpejtësi në 15 nëntor 2022; kapet me celular në drejtimin e mjetit 9 dhjetor 2022; pa siguracion dhe nuk zbatoi sinjalistikën 27 janar 2023.
Me gjithë këto shkelje rrugore, 20-vjeçari vijonte të qarkullonte në rrugë, pasi patenta nuk i ishte bllokuar nga Policia Rrugore.
Në një video në Tik Tok, 20-vjeçari shihet duke i dhënë makinës me një dorë dhe më pas me të dyja, me një shpejtësi prej 270 km në orë. Ai shkruante: “Mos u shqetëso kur i jap makinës me një dorë, shqetësohu kur i jap me të dyja”.
Sipas dinamikës së ngjarjes, fati ka shpëtuar një automjet tjetër, që duket gati i ngjitur me makinën e Ruçajt. Mjeti i tipit “Benz” ka shpëtuar për punë centimetrash nga përplasja.
“Audi A8”, pasi godet barrierat mbrojtëse, përfundon në nënkalim. Aty përplaset me automjetin tip “Honda” në të cilin udhëtonin tre anëtarë të familjes Kurti nga Elbasani.
Policia ka konstatuar se 20-vjeçari Ruçaj, pak përpara hyrjes në rrethrrotullim, tentoi të frenojë, por shpejtësia mbeti përsëri e lartë.
Pak orë pas aksidentit tragjik, policia ka identifikuar këtë të premte edhe dy vajzat që udhëtonin si pasagjere me 20-vjeçarin.
Klevis Ruçaj, 20 vjeç, banues në Fier, ishte në timonin e “Audit” dhe dy pasagjeret në mjet, Erisilda Abedini, 22 vjeçe dhe Sikela Përroj, 23 vjeçe, të dyja banuese në Tiranë.
Dy vajzat gjetën vdekjen në vendin e ngjarjes, ndërsa shoferi 20-vjeçar disa orë më vonë në Spitalin e Traumës. Nga ngjarja mbetën të plagosur 3 persona të tjerë, që udhëtonin me një makinë “Hunday”.
Gjurmët e frenimit duken edhe një ditë pas aksidentit të frikshëm, ndërsa në muret e mbikalimit janë ende prezente shenjat e përplasjes së fortë. Autoritetet policore kanë vendosur barriera betoni, pasi ato metalike janë shkatërruar.
Nga matjet e kryera në terren nga ekspertët, rezultoi se “Audi” udhëtonte me një shpejtësi mbi 200 km në orë dhe shenjat e para të frenimit i ka pasur vetëm 27 metra larg rrotullimit, duke mos pasur asnjë mundësi për shmangien e aksidentit.
Në Spitalin e Traumës ndodhen nën trajtim mjekësor anëtarët e familjes Kurti nga Elbasani, nëna, babai dhe djali i tyre. Ata kanë marrë lëndime si pasojë e përplasjes, por fatmirësisht ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Paraprakisht dyshohet se shkak për ngjarjen e rëndë ka qenë shpejtësia tej normave të lejuara e “Audit”. Tre të rinjtë mësohet se ishin miq me njëri-tjetrin.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.