Ekonomi

Rama takim me tur-operatorët gjermanë: Synimi ynë të jemi kampionët e Ballkanit në turizëm

Në takimin me përfaqësues të operatorëve turistikë gjermanë në Berlin, kryeministri Edi Rama tha se synimi i Shqipërisë këtë vit është që të bëhet kampione e Ballkanit dhe të tejkaloje vendet e tjera.

Në nisje të takimit, mikpritësi i eventit u shpreh se Shqipëria ka zgjuar ndjeshëm interesin e turistëve gjermanë, i cili vitin e kaluar u rrit me 60 %, krahasuar me periudhën e para Covidit.

“Kur kontrolloj shifrat në Holidaycheck mësoj që nuk jam i fundit, por absolutisht as i pari që e kam zbuluar Shqipërinë. Trafiku në faqen tonë të internetit vitin e kaluar tregoi se interesi për Shqipërinë u rrit me më shumë se 60%, krahasuar me periudhën e para Covidit. Shqipëria qartësisht është një rajon i ardhshëm udhëtimi për gjermanët, me plazhet e saj, me kulturën e saj, me jetën e gjallë në qytetin e Tiranës dhe me distancën e shkurtër të fluturimit me Gjermaninë.  Besoj që nisja e bashkëpunimit në turizëm midis Shqipërisë dhe Gjermanisë është një përputhje e shkëlqyer”, u shpreh ai.

Rama tha se tashmë në Shqipëri janë më shumë se 260 destinacione agroturistike që po përmirësohen më tej.

“Shifrat e turizmit po rriten gjithandej në cdo vend, nga çdo vend. Aeroporti ynë është i pari në Europë pas pandemisë që është ringritur me 123% vitin e kaluar që janë të dhënat zyrtare të agjencisë euoropiane të transportit ajror.  Hotelet po ndërtohen ditë pas dite natyrisht duhet të bëjmë më shumë për turizmin e nivelit të lartë. E kemi nisur, por na udhët të bëjmë më shumë në turizmin luksoz, ndërkohë që kemi punuar shumë për të bërë një analizë të mirë të legjislacionit të vendeve fqinje dhe po bëjmë një ligj që do të jetë shumë më tërheqës për investuesit”, tha ai ndërsa shtoi se në javët në vijim do të jetë deklarimi i lumit Vjosa si Park Kombëtar.

“Sigurisht që ka mbetur i fundit sepse të tjerët u kthyen nga “tigra” në “mace” për t’i shërbyer ekonomisë europiane, por tani Europa na kërkon ne që ta ruajmë lumin e fundit të egër dhe edhe ne duam që ta ruajmë. Lumi mund të jetë një potencial shumë i madh për turizmin dhe ne do ta ruajmë”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë