Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në fjalimin e tij në Kuvendin e Kosovës, tha se presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, nuk pajtohet me përmbajtjen e propozimit evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
“Pranimi bëhet vetëm përmes nënshkrimit të të dyja palëve. Refuzimi për ta nënshkruar është tregues që ata nuk janë dakord me përmbajtjen”, tha Kurti duke iu referuar takimit të nivelit të lartë mes tij dhe Vuçiçit në Bruksel, më 27 shkurt, ku u diskutua propozimi evropian.
Pas takimit në Bruksel nga përfaqësuesit e BE-së si lehtësues të dialogut, u tha se edhe Kosova e Serbia e kanë pranuar tekstin e kësaj marrëveshje bazë dhe pritet në vazhdim të diskutohet për planin e zbatimit të kësaj marrëveshjeja.
Lidhur me tekstin e propozimit evropian, pati kritika nga opozita kosovare, të cilët më herët të enjten kërkuan debat parlamentar me kryeministrin Kurti.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku që ishte propozuesi i mocionit për mbajtjen e këtij debati kritikoi propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, në veçanti preambulën e tij.
Ai tha se preambula e këtij propozimi që ndër tjerash përmban tekstin “për të kapërcyer trashëgiminë e së kaluarës” dhe “pa paragjykuar pozicionet e ndryshme të palëve në lidhje me çështjet themelore, përfshirë çështjen e statusit”, paraqet dëm historik për Kosovën.
“Në një rast të paprecedentë Kosova pajtohet me pa paragjykimin rreth statusit të vet politik…”, tha Abdixhiku.
Në anën tjetër, në fjalimin e tij Kurti tha se ky konstatim është gabim.
“Sa i përket qëndrimit që ‘overcome the past’ (tejkalimi i së kaluarës) është falje e krimeve të Serbisë… ky qëndrim është i pasaktë, i padrejtë, i pavërtetë. Një ndër qëndrimet e mia ka qenë që një marrëveshje bazike pa elemente të drejtësisë tranzicionale, nuk mund të bëhet”, tha Kurti.
Kurti theksoi se fakti që presidenti serb ka refuzuar ta nënshkruajë marrëveshjen bazike në Bruksel, mund të nënkuptojë përgjigjen për pyetjen se kujt i vlen më shumë kjo marrëveshje.
Kurti në Kuvend u pyet edhe lidhur me pikën e propozimit evropian që parashikon zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura më parë në dialogun Kosovë-Serbi, në veçanti marrëveshjen për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.
Marrëveshja për asociacionin është një ndër pikat më kundërthënëse në dialogun Kosovë -Serbi.
Kurti ka përsëritur disa herë qëndrimin e tij se nuk pajtohet me themelimin e një asociacioni njëetnik dhe me kompetenca ekzekutive, që do të ishte në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.
“Nëse më pyesni se a duhet zbatuar ato (marrëveshje) që i gjithë komuniteti ndërkombëtar i aleatëve pret që të zbatohen – përgjigja ime është po, por vetëm nëse zbatohen të gjitha në përputhje me përcaktimet kushtetuese të Republikës së Kosovës. Nuk lejoj përjashtime, fokusime e veçime në një (marrëveshje)”, tha Kurti.
Propozimi evropian është thënë se synon që t’i çojë palët drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Në propozimin evropian nuk përmendet njohja e ndërsjellë. Megjithatë, në nenin dy të propozimit thuhet se palët duhet të respektojnë pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të njëra-tjetrës.
BE-ja ka thënë se palët kanë shprehur gatishmërinë që ta zbatojnë planin. Kjo do të bëhet përmes diplomacisë fluturuese, përkatësisht përmes udhëtimeve që pritet të realizojë në Prishtinë dhe Beograd i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak./REL
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




