Kosova

Një ditë pas dialogut/ Vuçiç: Luftuam sa mundëm, Kosova pjesë e Serbisë. Daçiç e mbështet

Gazeta Si – Akoma është e paqartë, pasi si Vuçiç, ashtu edhe Kurti, po tentojnë ta cilësojnë si fitore takimin e një dite më parë në Bruksel, të zhvilluar me ndërmjetësimin e dyshes Borrell-Lajçak. Një ditë pas negociatave presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, nxitoi të sulmonte të gjithë ata që i kishte kundër në Serbi.

“Serbia nuk ka çmim, kjo është diçka që ata nuk e kuptuan kurrë. Ne do t’i mundim. Serbia do të fitojë!” – tha presidenti në video të postuar në Instagram. Sakaq, Vuçiç ka falënderuar qytetarët për kujdesin dhe mbështetjen e tyre gjatë një dite, që ai e cilëson si të vështirë atë të përballjes me Kurtin.

Nga takimi i fundit i Vuçiç me Kurtin. Gazeta Si, 28 shkurt 2023

“Unë po analizoj atë që ndodhi. Ne luftuam sa më shumë në kushte të vështira dhe luftuam për të ardhmen e Serbisë në paqe, për vazhdimin e investimeve në vendin tonë. Gjithashtu mbaj betimin tim dhe Kushtetutën e Serbisë dhe të Kosovës e Metohisë, si pjesë e Serbisë”, – tha presidenti serb. Ai paralajmëroi se do t’i drejtohej me një mesazh televiziv popullit mbi negociatat.

Edhe aleati i tij në qeveri, ministri i Jashtëm Ivica Daçiç, doli publikisht në mbrojtje të qëndrimeve të Vuçiç në Bruksel. Për mediat serbe Daçiç ka deklaruar se Vuçiç tregoi diplomaci të madhe, aftësi udhëheqëse dhe vendosmëri në negociatat në Bruksel.

“Ai mbrojti interesat kombëtare dhe shtetërore, në të njëjtën kohë duke mos lejuar fajësimin e Serbisë për dështimin e negociatave dhe hapjen e perspektivës së zhvillimit të Serbisë”, – tha Daçiç për Tanjug.

Siç theksoi ai, Vuçiç ka mbetur i palëkundur në qëndrimin e tij se nuk ka negociata të mëtejshme për zbatimin pa formimin paraprak të ZSO-së (ASOCIACIONIT/ ZAJEDNICËS), një angazhim i kahershëm i garantuar nga BE-ja.

Ivica Daçiç. Gazeta Si, 28 shkurt 2023

“ZSO është arritja më e madhe e popullit serb pas vitit 1999 dhe është me interes jetik për popullin serb në Kosovë dhe Metohi. Çdo sulm ndaj ZSO-së, si dhe sulm ndaj politikës së Aleksandër Vuçiçit, është sulm ndaj interesave të Serbisë dhe është vetëm në interes të armiqve të Serbisë”, – tha Daçiç.

Aleati i Vuçiç kishte shprehur rezerva më parë në lidhje me zhvillimin e negociatave, ndërsa tani, pas vizitës së fundmi në Uashington, duket se po i qëndron pranë për negociatat e planin që ka bekimin e BE-së dhe SHBA-ve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë