Kosova

Takimi Kurti-Vuçiç në Bruksel, Gjermania ka një apel për palët

Ministrja e Shtetit në Ministrinë e Jashtme Federale të Gjermanisë, Anna Lührmann, tha se progresi drejt një normalizimi të qëndrueshëm ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është më urgjent se kurrë.

Ajo tha se propozimi evropian, i cili bazohet në një iniciativë gjermano-franceze, është një mundësi unike si për Serbinë ashtu edhe për Kosovën.

“Pranimi i propozimit do të përmirësonte rrënjësisht dhe në mënyrë të qëndrueshme marrëdhëniet midis vendeve. Mund të nxisë procesin e normalizimit në interes të qytetarëve të tyre. Ai do të largonte pengesat në rrugën drejt integrimit të mëtejshëm në BE dhe zhvillimit ekonomik. Dhe sigurisht që do të ishte një nxitje politike dhe ekonomike për të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor, i cili po frenohet nga kjo çështje e pazgjidhur. Të gjithë anëtarët e BE-së shpresojnë që Serbia dhe Kosova ta shfrytëzojnë këtë shans historik dhe unik. Europa po e përqafon rajonin si kurrë më parë: krahët tanë janë të hapur, por ne kemi nevojë që të dyja palët të veprojnë në mënyrë konstruktive”, tha ajo për Euroactiv.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç do të kenë një takim të nivelit të lartë politik në Bruksel më 27 shkurt.

Të dy ata kanë thënë se e pranojnë propozimin evropian, por kryeministri Kurti dispozitën e Asociacionit e ka kushtëzuar./Zëri


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë