Për propozimin evropian për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë u fol në takimin mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe kancelarit gjerman, Olaf Scholz, në Mynih të Gjermanisë, ku po mbahet një konferencë për sigurinë.
Kështu thuhet në njoftimin e sotëm të Qeverisë së Kosovës, ku u bë e ditur se në këtë takim ishin prezent edhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ministrja për Evropë dhe Punë të Jashtme të Francës, Catherine Colonna.
Vitin e kaluar, Kosovës dhe Serbisë iu dorëzua propozimi evropian, apo siç njihet edhe si propozimi franko-gjerman.
Palët kanë konfirmuar se e pranojnë këtë dokument, por ai nuk është bërë publik.
Megjithatë, në draftin paraprak nuk përmendet në mënyrë specifike njohja, por parashihen të drejta të barabarta për Kosovën dhe Serbinë, respektim i integritetit territorial, paprekshmëri e kufijve, njohje e simboleve shtetërore dhe një aranzhim i veçantë për komunitetin serb në Kosovë.

Gjithashtu në takim u diskutua edhe për përgatitjet për takimin e radhës në Bruksel, thuhet në njoftim.
“Duke i falënderuar për mbështetjen e vazhdueshme dhe angazhimin e drejtpërdrejtë të Gjermanisë dhe Francës, Kryeministri Kurti tha se Republika e Kosovës, si vend pro-evropian dhe pro-amerikan, mbetet e përkushtuar dhe konstruktive në dialog teksa dëshiron marrëdhënie të mira fqinjësore dhe integrim në BE dhe NATO”, thuhet në njoftim. /REL
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




