Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiç pritet të takohen me 27 Shkurt në Bruksel.
Takimi është thirrur nga përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell.
“Pjesëmarrjen e kanë konfirmuar presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti”, thuhet në komunikatën e Bashkimit Evropian.
BE-ja tha se në këtë takim, temë e diskutimit do të jetë propozimi evropian për normalizimin e plotë të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.
Fillimisht Borrell dhe i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, do të takohen me liderët, dhe më pas do të ketë një takim të përbashkët.
Kurti dhe Vuçiç nuk kanë zhvilluar takim në kuadër të dialogut të Brukselit që nga nëntori i vitit 2022.
Vitin e kaluar, Kosovës dhe Serbisë iu dorëzua propozimi evropian, apo siç njihet edhe si propozimi franko-gjerman.
Palët kanë konfirmuar se e pranojnë këtë dokument, por ai nuk është bërë publik.
Megjithatë, në një draft nuk përmendet në mënyrë specifike njohja, por parashikohen të drejta të barabarta për Kosovën dhe Serbinë, respektim i integritetit territorial, paprekshmëri e kufijve, njohje e simboleve shtetërore dhe një aranzhim i veçantë për komunitetin serb në Kosovë.
Kosova dhe Serbia i kanë nisur negociatat e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian më 2011.
Palët kanë synime të ndryshme sa i përket marrëveshjes finale, që synohet të arrihet në këtë proces. Kosova insiston në njohje reciproke, ndërkaq Serbia kërkon një zgjidhje kompromisi, pa specifikuar se për çfarë kompromisi bëhet fjalë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




