Ekonomi

Nga lidhjet me Trump te dyshimet mbi çështjet klimatike, presidenti ‘i urryer’ i Bankës Botërore jep dorëheqjen

Drejtimi i Bankës Botërore nga David Malpass nisi dhe përfundoi me polemika. Kur Donald Tump zgjodhi ish-ekonomistin e Thesarit në 2019-n, Malpass u pa si dikush që nuk besonte në multilaterizëm dhe mund të sabotojë bankën. Më 15 shkurt, kur ai tregoi planet e tij për të dhënë dorëheqjen në qershor, u shoqërua me komente që vinin në dyshim qëndrimin e tij për ndryshimet klimatike- fokus kryesor për BB. Midis reve të zeza, Malpass mbetet një lider i mirë, çuditërisht. Ai ndihmoi në stabilizimin e një institucioni që “po rrëshqiste” dhe zgjeroi operacionet e saj.

Dorëheqja e Malpass i bie një vit para se atij t’i mbaronte afati i mandatit, duke lënë të kuptohet se kishte përplasje midis atij dhe aksionerëve kryesorë të bankës, duke përfshirë, veçanërisht, vendin e tij. Më herët gjatë muajit, sekretarja e Thesarit Amerika, Janet Yellen, tha se Banka duhet të përshpejtojë reformat e saj; p.sh duhet të ndryshojë mënyrën se si analizon sfidat globale, si ajo e klimës dhe zgjerimin e huadhënies. Komentet e Yellen synonin një agjendë të re për bankën, ndoshta dhe një president të ri, i mbështetur nga vendet anëtare. Malpass e quajti largimin e tij të hershëm “një mundësi për një tranzicion të qetë të lidershipit”.

Kritikët e festuan largimin e tij. “Ky duhet të jetë hapi i parë drejt reformës që vendos krizën klimatike në fokus të Bankës”, tha Al Gore, ish-zv.president i SHBA-së. Malpass u pa me përbuzje vitin e kaluar kur ai shmangu pyetjet nëse djegia e lëndëve djegëse fosile shkakton ngrohjen globale, duke thënë se ai nuk ishte “shkencëtar”. Përgjigja e tij kishte ringjallur shqetësimet e mëparshme se të emëruarit të Trump nuk mund t’i besohej.

Por puna e tij ishte më e mirë nga se pritej. Paraardhësi i tij, Jim Yong Kim, ishte vendosur për të “rishpikur” bankën, për të sjellë konsulentë menaxherialë, për të ulur kostot dhe për të krijuar një strukturë të centralizuar. Malpass trashëgoi një institucion që ishte i demoralizuar dhe në kaos. Thirrjet tani për reforma të reja, të cilat përfshijnë marrjen e më shumë përgjegjësive, pasqyrojnë faktin se ai ndihmoi ta kthente bankën drejt identitetit të saj më mirë se Kim.

Në 2022-shin, financimet e BB-së arritën 115 mld dollarë, dy herë më shumë se në 2019-n. Ky zgjerim tregon rritjen e rolit të bankës në ndihmën për vendet e varfra të prekura nga Covid dhe kriza energjetike dhe e ushqimit. Banka dyfishoi dhe financimet e saj për klimën, 32 mld dollarë vitin e shkuar. Por, Malpass përsëri nuk mundi ta fshihte se ai nuk i kishte përzemër këto financime. “Unë e shoh më shumë si një mundësi të humbur sesa një periudhë gjatë së cilës pati trazira të mëdha ose institucioni dështoi ta realizonte,” – thotë Masood Ahmed, president i Qendrës për Zhvillim Global, një institut kërkimor në Uashington.

Amerika zgjedh drejtuesin e Bankës Botërore me marrëveshje me BE-në që zgjedh drejtuesin e FMN-së. Kandidatët e mundshëm besohet se mund të jenë, Samantha Power, që drejton tani agjencinë amerikane për zhvillim ndërkombëtar, USAID dhe Raj Shah, ish-drejtues i USAID. Kushdo që pason Malpass duhet të kuptojë se ndonjëherë fjalët e gabuara, rrëzojnë punën e mirë.

Burimi: TheEconomist/ Përshtati: Gazeta ‘SI’


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë