Kosova

BE: Jemi të gatshëm të ndërmjetësojmë diskutimet për Asociacionin

Bashkimi Europian tha se është i gatshëm që të ndërmjetësojë diskutimet për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha për Radion Evropa e Lirë se dialogu i ndërmjetësuar nga blloku europian është forumi ku duhet të diskohet për këtë çështje.

“Kemi vënë re deklaratat e bëra nga kryeministri Kurti lidhur me Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë gjatë seancës plenare të 2 shkurtit. Forumi për të diskutuar themelimin e Asociacionit, si dhe çdo propozimi tjetër që dy palët mund të kenë, është brenda dialogut. BE-ja është e gatshme të ndërmjetësojë diskutimet për Asociacionin në takimet e ardhshme të dialogut”, tha Stano.

LEXO EDHE:
– ‘Bashkë kundër Asociacionit’, studentët në Prishtinë marshojnë kundër Asociacionit
– Bislimi: BE-ja ka vërejtje në dy kushtet e Kurtit për Asociacionin
– Kurti vendos kushtet për themelimin e Asociacionit
– Zyrtarët amerikanë: Është koha për themelimin e Asociacionit

Më 2 shkurt Kurti ka paraqitur gjashtë kushtet për themelimin e Asociacionit.

Sipas Kurtit, Asociacioni nuk mund të jetë njëetnik, ai duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e vendit, të ketë një emër tjetër dhe të mos ketë kompetenca ekzekutive, të ketë të përfshirë parimin e reciprocitetit mes shteteve sa i përket të drejtave të pakicave kombëtare, bazuar në modelet evropiane.

Kurti ka kërkuar që të shuhen strukturat ilegale në veri dhe të bëhet dorëzimi i armëve, si dhe Serbia të tërheqë letrat dërguar pesë shteteve mosnjohëse të BE-së për mospranimin e Kosovës në bllokun europian. Kurti po ashtu ka kushtëzuar themelimin e Asociacionit edhe me përfshirjen e tij në një marrëveshje eventuale finale me Serbinë, dhe të zbatohet pas njohjes së ndërsjellë.

Kosova dhe Serbia më 2013 dhe 2015 kanë arritur marrëveshje për themelimin e Asociacionit. Por, Gjykata Kushtetuese e Kosovës tha se marrëveshja e vitit 2015, nuk është plotësisht në harmoni me Kushtetutën, duke shtuar se të 23 pikat – që janë në kundërshtim me frymën e Kushtetutës – mund të harmonizohen.

BE-ja, por edhe Shtetet e Bashkuara kërkojnë nga Kosova që të zbatojë marrëveshjet për Asociacionin. Serbia kërkon që Asociacioni të ketë kompetenca ekzekutive. Por, SHBA-ja ka thënë se kundërshton “krijimin e një entiteti që i ngjan Republikës Sërpska në Bosnjë e Hercegovinë”.

Ndërkaq, sa i përket një takimi eventual të nivelit të lartë në Bruksel, midis Kurtit dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, Stano tha se për çdo takim të ri të dialogut, BE-ja njofton “nëse dhe kur është e përshtatshme”./ REL


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë