Kosova

Varhelyi: KE-ja e gatshme të punojë për aplikimin e Kosovës për anëtarësim

Në seancën plenare të Parlamentit Evropian të martën(14 shkurt) është zhvilluar një debat për shtetet e Ballkanit Perëndimor ku mori pjesë edhe komisionari për Zgjerim, Oliver Varhelyi i cili tha se viti i kaluar ishte një prej viteve më të frytshme në procesin e zgjerimit.

Në vitin 2022, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut nisën negociatat për anëtarësim në BE. Moldavia, Ukraina dhe Bosnjë e Hercegovina morën statusin kandidatit, ndërsa Gjeorgjia u cilësua si një kandidate potenciale.

Varhelyi kërkoi që edhe Parlamenti Evropian, për të mbajtur ritmin e duhur edhe këtë vit, duhet të japë sinjale pozitive për procesin e zgjerimit.

Ai, si dëshmi se BE-ja tani e ka prioritet vërtetë zgjerimit, përmendi edhe faktin se në katër takimet radhazi të Këshillit Evropian, zgjerimi ishte temë e diskutimit.

Varhelyi gjatë debatit është pyetur edhe për vendet e rajonit ku një prej pyetjeve ishte për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

 “Të gjithë e dimë se cili është qëndrimi ligjor për statusin e Kosovës. Pesë vende nuk e kanë njohur Kosovën si shtet dhe kjo ndikon në qasjen tonë. Kosova ka aplikuar për anëtarësim dhe tani, Presidenca suedeze është duke shqyrtuar opsionet. Nga ana jonë, ne jemi të gatshëm të kryejmë punën tonë, e kjo është të përgatisim mendimin për status kandidati, por vendimi nuk na takon neve, por Këshillit”, u përgjigj ai.

Komisionari evropian u pyet edhe për atë që është cilësuar si “dështim i Kosovës” që të zbatojë marrëveshjet e arritura në dialogun me Serbinë, për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Do të ishte më së miri të përgjigjem duke cituar konkluzat e Këshillit Evropian nga java e kaluar. Dhe aty u bë qartë se cilat janë kushtet për përparim në rrugën evropiane”, tha ai duke cituar pjesën e cila fton direkt që pa kushte të zbatohen të gjitha obligimet nga e kaluara, në veçanti për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

“Rruga evropiane e Kosovës, sikurse edhe ajo e Serbisë, shkon përmes dialogut dhe zbatimit të marrëveshjeve”, shtoi ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë