Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se Kosova nuk pranon një dialog që nuk përmban njohjen reciproke.
Në seancën e thirrur nga Partia Demokratike e Kosovës për të diskutuar në lidhje me zhvillimet për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Kurti shtoi se Asociacioni i komunave me shumicë serbe mund të bëhet vetëm nëse plotësohen 6 kushtet që janë paraqitur nga Kurti.
LEXO EDHE:
– Borrell pret që Kurti e Vuçiç të takohen ‘së shpejti’ për mbështetje të propozimit
– Kurti i gatshëm për takim me Vuçiçin, BE merr parasysh kushtet për Asociacionin
“Qasja strategjike nga Qeveria e Kosovës përballë dialogut me Serbinë të lehtësuar nga BE-ja është ndërtuar mbi bazën e dy qëllimeve fillestare: e para, ndërprerjen e praktikës së përfshirjes në çdo çështje potencialisht kontestuese ndërmjet palëve në fushëveprimin e dialogut.
Qëndrimi ynë ishte që maksimumi që mund të diskutohej në Bruksel ishin problemet e zbatueshmërisë së problemeve ekzistuese (atyre që ishin nënshkruar para ardhjes sonë në qeveri). E dyta, hapja e kapitullit të një procesi të bisedimeve për ndërtimin e raporteve të jashtme të fqinjësisë së mirë”, shtoi Kurti.
Më tej Kurti tha se si rezultat i qasjes së tyre fillestare dhe kujdesit ndaj precedentit të vitit 2013 e më tej, përfaqësuesi i lartë i BE-së, Borrell për herë të parë në më shumë se 12 vjet dialog “pranoi ta bëjë hapin e madh, atë të ftesës së datës 18 gusht 2022 ku e kornizoi takimin e nivelit të lartë mbi dy pika qendrore”.
Kurti tha që gjatë atij takimi ia kishte bërë të qartë Borrellit dhe Vuçiçit se Kosova nuk pranon dialog pa marrëveshje finale me njohje.
“Për herë të parë, u vendos përfshirja e kornizës së përgjithshme, pra të asaj që i rregullon marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë nga jashtë, ndërkombëtarisht në formatin e dialogut në Bruksel. Takimi i datës 18 shkurtit, ishte qartazi rezultat direkt i presionit të qeverisë sonë që dialogu të kalojë në fazën e rregullimit ndërkombëtar Kosovë- Serbi të përqendruar në njohje reciproke. Në takimin e 18 shkurtit ia bëra të qartë Borrellit dhe Vuçiçit që Kosova s’do të pranojë më një dialog që nuk është për një marrëveshje përfundimtare mbi njohjen e ndërsjellë”.
Kurti tha se në parim pikat e propozimit janë bazë e mirë për diskutim. Por, sipas tij, “e vetmja pikë shumë kontestuese është ajo që lidhet me pranimin e zbatimit të marrëveshjeve të kaluara të Brukselit, shumica nga të cilat, fatkeqësisht janë marrëveshje që kanë në përmbajtje elementin monoetnik, atë territorial dhe atë të monopolizimit të përfaqësimit të komunitetit serb në duart e Listës Serbe që kontrollohet nga Beogradi. Qëndrimi im është se Asociacioni mund të bëhet nëse pranohen 6 kushtet”, theksoi ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




