Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se propozimi i Bashkimit Evropian që njihet si plani franko-gjerman, nuk është marrëveshje finale, por është një kornizë apo një marrëveshje bazike, jo përfundimtare.
Këto komente kryeministri Kurti i bëri gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës, ku në pyetjet parlamentare, deputetët opozitarë e pyetën kreun e Qeverisë për mostransparencë lidhur me propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Kjo marrëveshje, e cila është e vërtetë se ka paragrafë e fjali të tëra që merren nga modeli i dy Gjermanive, sërish është veçse një marrëveshje bazë, jo marrëveshje ligjërisht e obligueshme, ndërkombëtarisht obliguese çfarë na nevojitet neve”, tha kryeministri.
“Duhet kuptuar se nuk ka pasur mundësi që të vijnë nga Brukseli, Berlini e nga Parisi që të na sjellin marrëveshjen finale. Kjo nuk është e mundshme sepse kjo do shumë procese negociatash të thella e të gjata”, tha ai.
Emisarët evropianë, emisarët franko-gjerman, shtoi Kurti “nuk na kanë sjellë një dokument në stilin ‘merre ose lëre’”.
Ndërkaq, sa i përket Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Kurti tha se në propozimin franko-gjerman nuk është as parakusht e as në qendër.
“Ajo çka i duhet Kosovës është njohja reciproke dhe marrëveshje finale pa njohje reciproke në qendër nuk do të ketë”, tha Kurti .
Partitë politike opozitare në Kosovë në seancën e së enjtes kanë ngritur një varg kritikash në drejtim të kryeministrit Kurti lidhur me propozimin e BE-së për normalizim të marrënieve mes Kosovës dhe Serbisë .
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, tha se në dy takime lidhur me dialogun Kosovë-Serbi që kishte zhvilluar me kryeministrin Albin Kurti, i janë dorëzuar dy dokumente të ndryshme.
Dokumenti i parë parashikonte njohjen reciproke me Serbinë, ndërkaq, dokumenti tjetër nuk përmbante marrëveshjen finale dhe, sipas Abdixhikut, “ishte larg dokumentit që i kishte propozuar Kurti në takimin e parë”.
Ai ka pyetur kryeministrin për ta kuptuar se “çfarë ka nënshkruar dhe se në marrëveshjen e pranuar në parim a bëhet fjalë për marrëveshje përfundimtare ligjërisht të obligueshme apo për marrëveshje bazë”.
“As unë, as LDK-ja dhe asnjë parti tjetër në Kuvendin e Kosovës nuk jemi në dijeni mbi përmbajtjen e saktë të draftit të dokumentit në fjalë (propozimi franko-gjerman), sepse as unë e asnjë parti tjetër nuk ka qenë pjesë e negociatave dhe nuk ka qenë e informuar asnjëherë për këtë proces dhe përfundimin e tij”, tha Abdixhiku.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, e ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti se qëndrimet rreth planit franko-gjerman po i mban të fshehura dhe se nuk është transparent në këtë çështje.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




