Dosje

Mjekët i morën 6 mijë lekë për një skaner emigrantit nga Greqia. Përgjimi në polici: Faji është i joni! (por gjykata i liron)

Gazeta Si - Nazmi Metaliu dhe Astrit Mansaku, të cilët dyshohet se kryenin skanera pa radhë kundrejt shpërblimit në Qendrën Spitalore Universitare, janë liruar nga qelia dhe janë pezulluar për 3 muaj nga detyra deri në përfundim të hetimeve.

Vendimin e mori Gjykata e Tiranës, e cila nuk e ka pranuar kërkesën e Prokurorisë në kryeqytet për masën e sigurisë “arrest në burg”, si për mjekun, ashtu edhe për imazheristin, të cilë akuzohen për për korrupsion e shpërdorim detyre.

Ndonëse të dy të arrestuarit këmbëngulin se nuk kanë marrë asnjëherë para në këmbim të shërbimit, një përgjim i kryer në ambientet e policisë i vë ata në pozitë të vështirë.

Dy të dyshuarit flasin me njëri-tjetrin në polici, sipas dosjes hetimore dhe në një moment, Metaliu i thotë kolegut: “Kam pushkatuar veten, të kam pushkatuar dhe ty”.

Kurse kolegu i përgjigjet për qytetarin që kishte paguar: “Ai është në rregull me veten, ai për këtë punë ka dalë, nuk ke pse e shan, faji është i joni”.

Në fakt, personi që ka kallëzuar çështjen, e cila solli dhe arrestimin e dy personave përpara shumë vitesh ka qenë emigrant në shtetin grek dhe ka bërë një aksident me makinë ku ai ishte si pasagjer.

Sipas dosjes hetimore, emigranti që vinte nga Greqia kishte pësuar aksident me makinë disa vite më parë dhe i ishin shfaqur shqetësime si marramendje e dhimbje qafe.

Kur kallëzuesi ka shkuar për t’u interesuar tek Qendra Spitalore Universitare Nënë Tereza, është takuar rastësisht me doktor Nazmi Metaliun, tek i cili ishte vizituar disa vite më parë dhe gjatë bisedës me të, i ka treguar për shqetësimet shëndetësore që kishte, ndërsa ky i fundit i ka thënë se do ta ndihmonte.

Metaliu i ka thënë të bënte skaner të trupit, shërbim që mund ta përfitonte duke dhënë para ose do të priste disa muaj sa t’i vinte radha, sipas procedurave të spitalit.

Doktor Metaliu i ka thënë denoncuesit, që për një skaner ata merrnin 12.500 lekë (të reja), ndërsa për të do të merrte 6.000-7000 lekë.

Më pas, mjeku komunikon me kolegun e tij, teknikun e imazherisë, Astrit Mansaku dhe skaneri realizohet.

Dy punonjësit e QSUT-së, nuk ndihmuan vetëm qytetarin e parë, por edhe shokun e tij, duke shkelur rregulloren e spitalit. Ata i bënë skanerin pa radhë dhe pa dokumentacion duke përfituar vlerën 6000 lekë te reja.

Në dosje është edhe një bisedë mes të arrestuarve, të cilët ofendojnë qytetarin që ndihmuan duke shkelur rregullat, i cili i kallëzoi  në polici.

Në procesverbalin e transkiptimit të bisedës ambientale të zhvilluar në ambientet e Drejtorisë së Policisë Tiranë në datën 2 shkurt, ora 12.45 mes shtetasve Nazmi Metaliu dhe Astrit Mansaku, rezulton se ata flasin për ngjarjen në fjalë, duke akuzaur një person të tretë për padinë ndaj tyre.

Astriti i thotë Nazmiut: A e di çfarë ke bërë ti?

Nazmiu i thotë: Kam pushkatu veten, të kam pushkatu dhe ty.

Astriti i thotë: Ne sikur t’ja bëjmë vetes është tjetër histori, por me ja bë shokut....

Nazmiu i thotë: Pse du unë me ja bo vetes... erdhi ai p... i nanës që e pat bo para dy javësh dhe sa e boni tha e i thashë... Paska qenë njeri i pabesë or burrë.

Astriti i thotë: Kjo është shoqëria mor burrë, kjo është me vra veten, me u var në litar, nuk ke ç’i bo o Naz.

Nazmiu i thotë: Më thoshte hajde me mu, me vra veten.

Astriti i thotë: As me fol nuk fol dot ma

Nazmiu i përgjigjet: Se mos ketë ndonjë djall këtë, mos fol, muti i samës erdh tek unë dhe më tha hajde merre një kafe, po lene thashë unë. Po çfarë plehre paska qenë.

Astriti i thotë: Po lene, atë punë kanë ato. S'ke pse e shan, faji eshte i joni!


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë