Në seancën e posaçme në Kuvendin e Serbisë, ku po diskutohej për Kosovën, u krijua përplasje verbale dhe fizike mes deputetëve të opozitës dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiç.
Vuçiç në këtë seancë ka folur për planin europian për normalizimin e raporteve me Kosovën, teksa opozita e ka cilësuar këtë plan si “kapitullim për Serbinë”.
Gjatë seancës, deputetët e opozitës kanë brohoritur slogane si “Tradhti”, “Kosova është zemra e Serbisë” dhe “Nuk do të heqim dorë nga Kosova”. Ata po ashtu mbanin pankarta me mbishkrimin “Jo kapitullimit”.
🇷🇸 Serbian MPs from the ruling party and opposition parties clashed during Vucic’s speech on the special parliamentary session about negotiations with Kosovo.pic.twitter.com/vwSvSbmXcP
— kos_data (@kos_data) February 2, 2023
Në nisje të debatit, Vuçiç tha se qëllimi “i ditës së sotme nuk është që përgjegjësia të bartet në këtë institucion apo te populli”.
“Qëllimi është të dal para jush dhe qytetarëve dhe sinqerisht dhe haptazi të ndaj atë që na pret dhe çfarë po përballemi”, tha Vuçiç në Kuvend.
Në seancën për Kosovën në Kuvendin e Serbisë të pranishëm ishin edhe përfaqësues të Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë.
Seanca plenare u mbajt pasi presidenti i Serbisë ka pranuar propozimin nga Bashkimi Europian për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.
Vuçiç tha se nuk mundet të tregojë të gjithë planin europian para Parlamentit, por vetëm pjesët më të këqija për Serbinë.
“Ajo që është më e rëndësishme është se plani është korniza politike, momenti në të cilin ndodh gjithçka”, tha Vuçiç.
Presidenti serb tha se ekipit diplomatëve europianë dhe amerikanë, me të cilët ka biseduar më 20 janar në Beograd, i ka thënë se ka rezerva të mëdha për çështjen kyçe.
“Ka edhe gjëra të mira në plan, nuk do të flas për to”, shtoi ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




