Ekonomi

Instituti i Vjenës parashikon rritje me 3% të ekonomisë shqiptare. Inflacioni ka kaluar kulmin

Nga Gazeta ‘SI’ – Instituti për Studime Ekonomike Ndërkombëtare i Vjenës (WIIW), ka parashikuar rritje të ekonomisë së Shqipërisë me 3% këtë vit, më i ulëti në 5 vite.

Për vitin 2024, Institutit i Vjenës parashikon rritje 3.6% dhe për 2025-n 3.8%.

Për të gjithë rajonin e Europës Lindore, WIIW thekson se goditja e shkaktuar nga lufta në Ukrainë, ka qenë e vështirë për t’u përthithur, por vendet duhet të kenë një tjetër rritje në gjysmën e vitit që ato ta përballojnë atë, me shpresën se lufta nuk përshkallëzohet. Inflacioni në rajon ka kaluar kulmin e tij, por do të mbetet i lartë. Kështu, bankat qendrore në rajon mund të lirojnë sërish politikën monetare, me efekte pozitive për rritjen.

“Por faktori më i madh i pasigurisë mbetet lufta në Ukrainë”,- thotë Richard Grieveson, Zëvendësdrejtor i WIIW.

Ekspertët e Vjenës pohuan se me gjithë vështirësitë që krijoi Lufta në Ukrainë, Europa dhe vendet e Ballkanit Perëndimor treguan qëndrueshmëri.

Për vitin 2023, WIIW parashikon rritje mesatare 1% për vendet anëtare të BE-së. Vendet e Europës Juglindore anëtare në BE, në veçanti, po tregohen mjaft elastikë.

Ekonomitë e Ballkanit Perëndimor do të zgjerohen me vetëm 1.8%, ndërsa ajo e Turqisë do të rritet 3%. Edhe pse rritja do të jetë më e ulët se në vitin e kaluar, recesioni do të shmanget nga shumica e vendeve me përjashtim të Hungarisë dhe Rusisë, ekonomia e të cilave do të bjerë këtë vit.

Për Ukrainën, edhe pse PBB-ja ra me 30% vitin e kaluar, WIIW pret një rritje me 3% për 2023-shin.

PBB-ja e Rusisë në vitin 2023, pritet të bjerë me 3%. Përveç mobilizimit ushtarak dhe mungesës së eksporteve të gazit në Europë po ndikojnë negativisht ekonominë ruse.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë