Ekonomi

Normalizim i ekonomisë, BSH frenon rritjen e normës së interesit. Sejko: Rritja e pagave, presion mbi inflacionin

Nga Gazeta ‘SI’ – Banka e Shqipërisë ka vendosur të frenojë rritjen e normës bazë të interesit në mbledhjen e fundit, për shkak të shenjave normalizuese të indikatorëve ekonomikë, por pa një afat.

Guvernatori Gent Sejko, në konferencën mujore (1 shkurt) tha se ndonëse tregjet kanë pasur ecuri pozitive, por ekonomia ka ende nevojë për shtrëngim monetar në të ardhmen afatshkurtër, pasi rreziku nga inflacioni është ende i  lartë.

Nga gjykimi i BSH-së, nuk është ende koha për ndryshim të trajektores së politikave monetare.

Sipas Sejkos, ndonëse është tregues pozitiv, rritja e pagave është një thikë me dy presa, që rrit më tej kostot e prodhimit dhe shton presion tjetër mbi çmimet e konsumit.

Ai tregoi se sektori privat, ndërtimi dhe shërbimet patën ndikim të fortë në rritjen ekonomike, ndërkohë që industria dhe bujqësia nuk patën shumë progres. Po ashtu edhe tregu i punës.

Në një panoramë të tregjeve financiare Sejko raportoi se ecuria e yield-eve të letrave me vlerë të qeverisë ka shfaqur shenja korrektimi dhe normalizimi. Normat e interesit të depozitave dhe kredive bankare kanë ardhur në rritje, por niveli i tyre mbetet ende stimulues për rritjen e konsumit dhe të investimeve. Po ashtu, Sejko sqaroi se forcimi i lekut kundrejt euros ka qenë si pasojë e valutës së lartë në treg.

BSH pret një rritje pozitive të ekonomisë, ushqyer nga shëndeti i sektorit privat, por do të jetë rritje më e ngadaltë se muajt paraardhës.

Norma bazë e interesit qëndron në nivelin e 2.75%, pas 5 rritjeve gjatë vitit 2022, me qëllim për të reduktuar kreditimin e ekonomisë. Vetë Guvernatori ka pranuar se kjo normë është në fakt ende stimuluese për të marrë kredi, sidomos për bizneset.

Një rritje e mëtejshme do të thotë një shtrenjtim të huamarrjes dhe monedhës vendase në përgjithësi, duke ulur sasinë e saj dhe teorikisht, presionet e brendshme inflacioniste.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë