Kosova

“Kosovën ia morëm Serbisë”/ Deklarata e presidentit kroat shkakton përplasje të forta politike

“Serbia dhe Rusia nuk janë njësoj. Ne dhe bashkësia ndërkombëtare aneksuam Kosovën; kush e bëri atë veç nesh; nuk është aneksim, por shpronësim”.

Kjo deklaratë është lëshuar këtë të hënë nga presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviç dhe që menjëherë ka ngjallur debate të forta politike. Deklaratës i është bërë jehonë në Serbi, por partia në pushtet në Kroaci Bashkimi Demokratik Kroat (HDZ) ka reaguar ashpër, duke e cilësuar presidentin si njeri të varur dhe të ndikuar nga presidenti rus Vladimir Putin.

HDZ-ja thotë se nuk është problem për Milanoviçin të turpërohet dhe të debatojë me aleatët e Kroacisë, kur ai duhet të mbrojë presidentin rus Vladimir Putin. Më tej ato shprehen “mos u shqetësoni, të njëjtit do të thonë nesër se janë miqtë më të mëdhenj të Kosovës dhe të popullit vëlla shqiptar”.

Një reagim të fortë pati edhe deputetja shqiptare në Parlamentin kroat, Ermina Lekaj-Përljaskaj. Në një reagim në rrjetet sociale ajo shprehet se procesi i pavarësisë së Kosovës ishte i njëjtë sikurse ai i Kroacisë.

“… Republika e Kosovës u krijua në procesin e shpërbërjes së RSFJ-së, e njëjtë me Republikën e Kroacisë. Është e rëndësishme të theksohet se sipas Kushtetutës së RSFJ-së, Krahina Socialiste Autonome e Kosovës ishte jo vetëm krahinë në kuadër të RV të Serbisë, por edhe element konstituiv i federatës.Me Kushtetutë, Kosovës iu hoqën me dhunë kompetencat e përcaktuara, të cilat në shumë elementë ishin afër një lloj shteti të kufizuar, në mënyrë që Kosova autonome të degradohej në një njësi administrative që kryente regjim policor dhe persekutim masiv të shumicës së shqiptarëve.”, ka shkruar ndër tjerash ajo në Facebook.

Presidenti kroat paralelizoi Kosovën me Krimenë, duke theksuar se Ukraina nuk mund ta marrë Krimenë, tashmë e ankesuar nga Rusia.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë