Nga Gazeta ‘SI’- Policia e Kosovës ka njoftuar se një patrullë policore është qëlluar me armë zjarri nga dy persona në zonën e njohur si Banjskë, në Komunën e Zveçanit, të banuar me shumicë serbe.
Sipas Policisë, nga ky sulm nuk ka zyrtar të lënduar, përveç dëmeve materiale të shkaktuara në makinën policore.
“Njësitet relevante policore kanë vazhduar me hetime intensive, duke arritur të identifikojnë një veturë të dyshuar të braktisur [xhip-opel], në një rrugë malore në distancë prej rreth 250 metra largësi, e cila dyshohet se mund të jetë e përfshirë në rast. Po ashtu në afërsi të automjetit të dyshuar janë vërejtur edhe gjurmët e personave të dyshuar të cilët kanë ikur në drejtim të panjohur”, thuhet në njoftim.
Autoritetet e rendit thanë se kanë konfiskuar makinën e dyshuar dhe ky rast është cilësuar si vrasje në tentativë dhe sulm ndaj personit zyrtar.
Në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, pjesëtarët e Policisë së Kosovës, edhe në të kaluarën janë kërcënuar nga sulme të herë pas hershme.
Incidenti i fundit ndodhi më 23 janar në Bistricë të Leposaviqit, kur dy serbë refuzuan që të ndaleshin në një pikë kontrolli dhe Policia shtiu me armë zjarri drejt veturës, duke plagosur një serb. Policia tha se gjatë vozitjes, kjo veturë kishte goditur një makinë policore.
Autoritetet thanë se dy të dyshuarit e këtij rasti, të identifikuar me inicialet D.S dhe M.D, kanë të kaluar kriminale dhe kanë qenë të përfshirë në dhjetëra veprave penale dhe kundërvajtje.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




