Ekspozite

10 veprat më të shtrenjta të artit të të gjitha kohërave dhe kush i bleu

Nga Gazeta Si – Dalje në ankande, shitje private, por edhe truke: ja çfarë fshihet pas veprave më të shtrenjta të të gjitha kohërave. Gjatë njëzet viteve të fundit kemi qenë dëshmitarë të një rritje të ndjeshme të rekordeve të ankandeve veçanërisht për artistët që kanë bërë histori, figura që të vetme arrijnë të bëhen faqet e para të gazetave në mbarë botën. Megjithatë, ndërsa për ankandet kemi shifra dhe dokumentacion të caktuar, për shitjet private kemi vetëm pak a shumë vlerësime të caktuara, të cilat gjithsesi na bëjnë të kuptojmë vlerën e pabesueshme të veprave të mjeshtrave të mëdhenj. Le të shohim se cilat janë më të shtrenjtat dhe kush ka pasur fatin t’i përballojë…

10) Rembrandt, Portreti i Marten Soolmans dhe Portreti i Oopjen Coppit (1634): 160 milionë dollarë

Është një rast më unik sesa i rrallë: këto janë dy portrete të porositura nga një familje e pasur holandeze, të cilat mbetën në duar private për gati 400 vjet dhe rrallë u ekspozuan për publikun. Deri në vitin 2017, kur bankieri francez Eric de Rothschild vendos t’i nxjerrë në shitje.Për herë të parë në histori, dy muzeume, Rijksmuseum në Amsterdam dhe Muzeu i Luvrit në Paris, kanë bashkuar forcat në emër të kulturës duke marrë dy veprat: që atëherë portretet janë ekspozuar në një nga dy muzetë me radhë dhe nuk ndahen kurrë.

9) Amedeo Modigliani, Nudo e shtrirë, 1917: 170.4 milionë dollarë

Një nga pikturat më të rëndësishme të “Modì”, ajo kishte qenë pjesë e koleksionit të famshëm Mattioli. Në vitin 2015, “Nudo e shtrirë” iu shit nga Christie’s miliarderit kinez Liu Yiqian për muzeun e tij Long në Shangai, dhe ai thuhet se ka paguar me American Express…

8) Pablo Picasso, Les Femmes d’Alger – version O, 1955: 179.365.000 milionë dollarë

Picasso bëri 15 versione të kësaj pikture. Duke filluar me një bazë ankandi prej 150 milionë dollarësh, Christie’s ia shiti atë në vitin 2015 ish-kryeministrit të Katarit Hamad bin Jassim bin Jaber Al Thani.

7) Mark Rothko, nr. 6 (vjollcë, jeshile dhe e kuqe), 1951: 186 milionë dollarë

Shitja private e kësaj vepre ndihmoi në zbulimin e një mashtrimi të kryer nga tregtari francez Yves Bouvier, i cili e kishte blerë për “vetëm” 80 milionë euro.Ishte Dmitry Rybolovlev, një manjat rus që ra në grackë, i cili denoncoi gjithçka, pasi Bovier pretendonte të ishte ndërmjetësi dhe jo pronari i veprës…

6) Jackson Pollock, Numri 17A, 1948: 200 milionë dollarë

Një nga shembujt më të qartë të “pikimit” të Pollock-ut, vepra iu shit nga fondacioni David Geffen te Kenneth Griffin, një miliarder amerikan.

5) Andy Warhol, Orange Marilyn, 1964: 250 milionë dollarë

Nga viti 1964 e deri më sot, “Orange Marilyn” e Andy Warhol është blerë dhe shitur nga koleksionistë të ndryshëm dhe tregtarë privatë, duke filluar nga Leo Castelli, për të mbërritur, në vitin 2018, përsëri te Kenneth Griffin,i cili mendohet se ka shpenzuar rreth 250 milionë dollarë për ta bërë të tijën në një shitje private. Dhe të mendosh se Sotheby’s e kishte shitur atë në 1998 për “vetëm” 17.3 milionë…

4) Paul Cézanne, The Card Players, 1890: 250 milionë dollarë

Edhe këtu bëhet fjalë për një shitje private: vlerësohet se familja mbretërore e Katarit ka shpenzuar 250 milionë dollarë në vitin 2011 për blerjen e saj nga trashëgimtarët e pronarit të anijeve greke George Embiricos.

3) Willem de Kooning, Interchange, 1955: 300 milionë dollarë

Ne arrijmë në podium dhe e gjejmë përsëri: Kenneth Griffin, i cili në 2015-n shpenzoi 300 milionë të tjera për këtë vepër të bukur të Willem de Kooning, të paguara në arkën e fondacionit David Geffen.

2) Paul Gauguin, Nafea faa ipoipo, 1892: 300 milionë dollarë

Në vendin e dytë, një tjetër shitje private: këtë herë janë Muzetë e Katarit që i paguajnë shumën astronomike prej 300 milionë koleksionistit zviceran Rudolf Starchlin.

1) Leonardo da Vinci, Salvator Mundi, 1499, 450 milionë dollarë

Të gjithë e dimë ose e kemi parë këtë vepër deri më tani, dhe e dimë se si atribuimi i Leonardos është të paktën i dyshimtë.

Ka nga ata që mendojnë se autori është Bernardo Luini, ndihmësi i Leonardos dhe nga ata që besojnë se është një kryevepër e vërtetë e artistit të madh.

Fakti është se Departamenti i Kulturës dhe Turizmit i Abu Dhabit ka menduar mirë të shpenzojë më shumë se 450 milionë dollarë, duke e bërë atë veprën më të shtrenjtë në histori.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë