Kosova

Lajçaku pas takimit me Kurtin: U dakordësuam se të gjitha marrëveshjet duhet të zbatohen

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë -Serbi, Mirosllac Lajçak, është takuar mbrëmjen e djeshme me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe zv.kryeministrin, Besnik Bislimi.

Me anë të një postimi në Twitter, Lajçak njofton se është kthyer në Kosovë për të vazhduar diskutimet për hapat e ardhshëm dhe rrugën përpara normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.

Lajçak po ashtu shton se është rënë dakord që të gjitha marrëveshjet e kaluara të dialogut duhet të zbatohen plotësisht.

“U ktheva sot në Kosovë për të vazhduar diskutimet e mia të sinqerta, të hapura dhe intensive me Kryeministrin Albin Kurti dhe zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi për hapat e ardhshëm dhe rrugën përpara për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Ne gjithashtu ramë dakord që të gjitha marrëveshjet e kaluara nga dialogu duhet të zbatohen plotësisht”, shkruan Lajçaku.

Propozimi i BE-së u është dorëzuar palëve në fund të verës, por përmbajtja e tij nuk është bërë publike.

Ky propozim, parashikon të drejta të barabarta për Kosovën dhe Serbinë, respektim të integritetit territorial, paprekshmëri të kufijve, njohje të simboleve shtetërore dhe një aranzhim të veçantë për komunitetin serb në Kosovë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë