Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price, ka deklaruar se mesazhi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kosovën është që sa më shpejtë të fillojë procesi për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe.
Kështu u shpreh ai para një konferencë për media, teksa shtoi se SHBA-të inkurajojnë përfaqësuesit serbë të kthehen sa më shpejtë në institucionet e Kosovës.
“Ne kërkojmë nga palët që të përmbushin përgjegjësitë e tyre. Si Kosova ashtu edhe Serbia duhet të zbatojnë marrëveshjet të cilat tashmë i kanë nënshkruar përmes procesit të dialogut duke përfshirë formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe”, u shpreh ai
Ndërkohë, edhe këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, tha se ka inkurajuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, që të pranojë propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
Përmes një postimi në Twitter, ai tha se ka biseduar me Kurtin për këtë çështje të martën.
“Një temë kyçe ka qenë partneriteti ynë dhe synimi i përbashkët për avancimin e integrimit evropian dhe euroatlantik të Kosovës”, ka shkruar Chollet në Twitter.
Ai tha se me Kurtin ka biseduar edhe për çuarjen përpara të diskutimeve për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




