Gazeta Si – Empoli bën goditjen e madhe, duke mundur 0-1 Interin në ‘San Siro’. Zikaltrit mbetën me 10 vetë pas minutës së 40-të, kur Shkriniar u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë. Shënoi talenti Baldanci, pas pasimit të Nedim Bajramit.
Befasinë në javën e 19-të të Serisë A e bën Empoli, që merr tri pikët në fushën e Interit dhe afrohet me zonën europiane. Toskanët mundën me meritë zikaltrit, të cilët zhvilluan një ndeshje të dobët.
Milan Shkriniar, ditën kur agjenti i tij zyrtarizoi largimin nga Interi në verë, e ka katranosur, duke u ndëshkuar më të kuq që në pjesën e parë. Paraqitje zhgënjyese bënë edhe Korrea e Belanova për skuadrën e Inzagit.
Empoli shënoi golin e fitores në minutën e 66-të, kur Baldanci, sapo kishte hyrë në fushë, mposhti Onanan me një gjuajtje në hyrje të zonës, pas pasimit të marrë nga Bajrami. Inzagi provoi me tredhëmbëshin Lautaro-Xheko-Lukaku, por ishte De Vrij që iu afrua golit me kokë, teska në të 77-ën goditi traversën. Interi mbetet 12 pikë pas Napolit dhe i thotë lamtumirë titullit.
Kristjan Asllani luajti gati 20 minuta në fundin e ndeshjes. Ai bëri një paraqitje të mirë për aq sa ishte në fushë. Mungoi në këtë ndeshje për shkak dëmtimi mbrojtësi Adrian Ismajli.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




