Gazeta Si – Kampionati shqiptar nuk është më një terren i panjohur për klubet europiane. Falë edhe një menaxhimi më të mirë, tashkë skuadrat shqiptare po arijnë të shesin lojtarët që prodhojnë, madje me shifra të konsiderueshme, që më parë as që imagjinoheshin. Xhuljano Skuka dhe Redon Xhixha janë dy të fundit.
Sulmuesi i Partizanit do të shkojë në Francë, te skuadra e Metz. Klubi i kuq do të përfitojë një shifër të majme, që nga burime jozyrtare thuhet se shkon në 1 milion euro. Skuka ka spikatur me fanellën e Partizanit, ndërsa mosha e re e ka ndihmuar edhe më shumë për këtë transferim.
Partizani ka shitur edhe kapitenin Eneo Bitri, i cili do të luajë në Çeki me Banik Ostrava. Nga kjo lëvizje klubi i kuq ka fituar 150 mijë euro.

Edhe Tirana do të mbushë arkën. Redon Xhixha pritet të kalojë në Azerbajxhan, tek ekipi i Karabagut, ku më parë kanë luajtur Ansi Agolli dhe Admir Teli. Tirana përfiton 550 mijë euro nga shitja e sulmusit të saj.
Ofertë zyrtare klubi bardheblu ka edhe për kapitenin Marsel Ismailgeci. Për të interesohet ekipi kampion i Bosnjës, Zrinski. Edhe Vesel Limaj do të largohet nga Tirana në këtë moment, por ende nuk është bërë e ditur se ku do të shkojë dhe sa do të përfitojë klubi. Në anën tjetër, Tirana ka afruar Regi Lushkjen dhe Kristal Abazajn.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




