Futboll

Danilo shpëton Juventusin nga humbja, Atalanta spektakolare në Torino

Gazeta Si – Në ‘Allianz Stadium’ u luajt një ndeshje e mbushur me emocione dhe shumë gola, që përfundoi 3-3. Dopieta e Lokman nuk i mjaftoi Atalantës, që u gjend dy herë në avantazh. Për bardhezinjtë shënuan Di Maria, Milik dhe Danilo.

Moment mjaft delikat për Juventusin. Pas humbjes me 5 gola ndaj Napolit dhe furtunës së Trupës së Apelit, që i hoqi 15 pikë nga renditja, skuadra e Alegrit arriti një barazim rokambolesk në fushën e saj ndaj Atalantës për javën e 19-të të Serisë A.

Atalanta kaloi shpejt në avantazh, pas një gabimi të portierit Shezni, në një mbrëmje të errët, në gjuajtjen e Lokman. Di Maria barazoi me penallti dhe pastaj Milik shënoi një gol shumë të bukur, duke e përmbysur rezultatin në favor të Juventusit.

Por situata ndryshoi sërish sapo nisi pjesë e dytë. Maehle barazoi në 2-2 nga ‘tuneli’, pastaj Lokman mposhti Sheznin për herë të tretë. Danilo vendosi ekuilibrin në minutën e 65-të dhe më pas asgjë nuk ndryshoi. Juventusi mban vendin e 9–të me 23 pikë, kurse Atalanta qëndron pranë zonës Champions.

Mbrojtësi i Kombëtares, Berat Gjimshiti, u hodh në fushë nga trajneri Gasperini në minutat e fundit të ndeshjes. Marash Kumbulla ndërkohë qëndroi gjithë kohën në stol në fitoren 0-2 të Romës ndaj Specias.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë