Gazeta Si – Kryendeshja e javës në Premier Ligë është mbyllur me fitoren 3-2 të Arsenalit të Granit Xhakës. Nketiah dhe Saka ishin protagonistë për ‘Topçinjtë’, për Mançester Junajtid shënuan Rashford dhe Martinez. Tifozët e Arsenalit tani besojnë më shumë se kurrë te titulli.
BIG. THREE. POINTS. pic.twitter.com/1Tbu8SP8p9
— Arsenal (@Arsenal) January 22, 2023
Porta dukej e mallkuar. Arsenali e kishte vënë poshtë skuadrën e ten Hag në fund të një ndeshjeje spektakolare, por rezultati ishte fiksuar në 2-2 pas atij goli “të dhuruar” nga një gabim i Ramsdale. Në minutën e 90-të, Edi Nketiah u gjend në vendin e duhur për të firmosur 3-2-shin final për të shpërthyer festën në ‘Emirates’.
Skuadra e Artetës fitoi me meritë, duke konfirmuar se luan futbollin më të mirë në Premier Ligë. Siti, që ka luajtur një ndeshje më shumë, është 5 pikë pas, ndërsa Junajtid mban vendin e 4-t.
Përveç Nketiah, autor i një dopiete, njeriu kopertinë është Bukajo Saka, i cili udhëhoqi Arsenalin në këtë ndeshje. Një yll, që në moshën 21-vjeçare po shenjtërohet si kampion. Por ishte i gjithë Arsenali që e meritoi këtë fitore. Së pari përmbysi disavantazhin fillestar dhe pastaj reagoi pas rezultatit 2-2.
Goli i fitores çmendi stadiumin ‘Emirates’, gjithmonë shumë i nxehtë, pavarësisht të ftohtit që ka mbërthyer Londrën këto kohë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




