Gazeta Si – Kjo e shtunë ishte shumë e mbarë për Tiranën, që ka mundur 4-1 Bylisin dhe ka marrë kryesimin e Superiores, duke përfituar edhe nga barazimi i Partizanit ndaj Kastriotit. Kampionët në fuqi kryesojnë me 31 pikë, ndaj 30 të të kuqve.
Ishte më e lehtë nga sa u mendua ndeshja me Bylisin, e luajtur në ‘Air Albania’. Hasani me penallti e kaloi Tiranën në avantazh, më pas ndeshja kishte vetëm një protagonist: brazilianin Patrik. Ai realizoi 3 golat e tjerë për kryeqytetasit, duke fituar të drejtën për ta marrë topin në shtëpi.

Po 4-1 fitoi sot edhe Vllaznia. Shkodranët mundën Laçin në ‘Loro Boriçi’, me dopietën e Hoxhajt dhe golat e Juriç dhe Jonuzit. Vetëm për statistika shërbeu goli i Vasil Shkurtajt për Laçin.
Me këtë fitore Vllaznia i afrohet në 3 pikë vendit të parë, duke u futur bindshëm në garën e titullit kampion. Në ndeshjen e sotme debutoi sulmuesi Bekim Balaj, një nga blerjet më të rëndësishme të janarit.
Partizani duket se po kalon një krizë këtë fillimviti. Humbja me Vllazninë mund të konsiderohej aksidentale, ndërsa barazimi me Kastriotin në Kamzë prish jo pak punë për ekipin e kuq.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




