Futboll

Kristal Abazaj rikthimi i radhës në Shqipëri, do luajë për Tiranën

Gazeta Si – Pas Bekim Balajt dhe Regi Lushkjes, në Superiore pritet të kthehet edhe Kristal Abazaj. Sulmuesi i djathtë, pa ekip aktualisht, është parë në kryeqytet, në praninë e drejtuesve të Tiranës.

Lojtari i lindur në Elbasan ka arritur akordin me klubin bardheblu dhe firma duket një formalitet. Abazaj mund të konsiderohet si zëvendësuesi ideal për Redon Xhixhën, që pritet të transferohet në një kampionat të huaj para mbylljes së merkatos së janarit.

Kristal Abazaj gjatë një grumbullimi me Kombëtaren. Gazeta Si, 21 janar 2023

Abazaj, pasi spikati me Luftëtarin në Superiore, u ble nga Skënderbeu. Me ekipin korçar nuk luajti asnjë ndeshje, por menjëherë u shit në Belgjikë tek Anderlehti, ku pati vështirësi ambientimi dhe vuajti disa dëmtime. Pastaj ka luajtur në Kroaci dhe Turqi, ndërsa tani është pranë rikthimit në elitën e futbollit shqiptar.

Kristal Abazaj është grumbulluar disa herë edhe me Kombëtaren. Tirana ka këmbëngulur për këtë lojtar dhe afrimi i tij do të ishte një tjetër goditje e madhe pas asaj të Lushkjes.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë