Treg

Në nëntor u rritën me 13.5% turistët, vëmendja zhvendoset drejt Qendrës

Nga Gazeta ‘Si’-Prurjet turistike kanë zgjatur përtej verës dhe preferencat e turistëve në këtë periudhë janë zhvendosur nga zonat e jugut, drejt qendrës.

Sipas të dhënave të INSTAT, në muajin nëntor, numri i turistëve gjithsej është rritur me 13.5% krahasuar me nëntorin e vitit të shkuar.

Numri i atyre rezident është rritur me 11.8% dhe numri i atyre jo-rezident është rritur me 15.2%.

Tur-operatorët turistikë të cilët për muajt e vjeshtës kishin pritshmëri vetëm për një cikël të mbyllur turistësh brenda Ballkanit Perëndimor u shprehën të surprizuar për Gazetasi.al para disa kohësh se ka patur prurje të mëdha jo vetëm nga Europa Perëndimore dhe Azia por edhe nga Amerika.

Besnik Vathi,Kreu i Shoqatës së Tur-Operatorëve thotë për Gazetasi.al se turistët që po vizitojnë Shqipërinë gjatë këtyre muajve, janë më shumë të interesuar për turizmin historik-kulturor.

Besnik Vathi,Kreu i Shoqatës së Tur-Operatorëve

“Turizmi në Shqipëri ndahet kryesisht në dy periudha, ai i plazhit dhe ai kulturor që përkon me periudhën e vjeshtës. Rritja e turizmit blu ka ndikuar edhe në rritjen e këtij lloji tjetër të turizmit sepse turistët ndajnë përshtypjet e tyre me njëri-tjetrin.

Ka ende prurje të mëdha turistësh që në këtë kohë, më shumë se me fluturime, vijnë me autobusë”, thotë për Gazetasi.al ai.

Sipas të dhënave të INSTAT mbi strukturat akomoduese në nëntorin e shkuar, nga totali i vizitorëve 50.9 për qind janë jo rezidentë. Nga këta të fundit 12.4 për qind janë shtetas të Kosovës ndërkohë që 10.2 për qind nga Italia.

Numri i netë qëndrimeve gjithsej ka rënë me 2.7%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar.

“Numri i netë qëndrimeve nga rezident është rritur me 6%; numri i netë qëndrimeve nga jo-rezident ka rënë me 8.2%”, thuhet në publikimin e INSTAT.

Sipas INSTAT,numri i vizitorëve rezident të cilët janë akomoduar në Rajonin Qendër ka shënuar rritjen më të lartë me 63.8%.

Në Zonat Bregdetare ky tregues është rritur me 17.6%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm. Rajoni qendër është më i preferuar përgjatë gjithë vitit në përgjithësi ku janë të vendosura Durrësi dhe Tirana.

Gjatë këtij muaji norma e shfrytëzimit të dhomave të “Hoteleve dhe akomodimeve të ngjashme” është 9.7%, kundrejt 10.9 % që ishte në muajin nëntor të 2021-shit.

Ndërsa norma e shfrytëzimit të shtretërve të “Hoteleve dhe akomodimeve të ngjashme” është 9.1%, kundrejt 9.7% që ishte në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë