Ekonomi

Guvernatori i bankës holandeze në Davos: Tregjet po keqinterpretojnë rritjen e normave të interesit

Banka Qendrore Europiane, BQE, nuk do të ndalojë rritjen e normave të interesit vetëm me atë të radhës prej 50 pikësh. Kështu tha Klaas Knot, guvernator i bankës holandeze dhe pjesë e bordit të EQB-së.

Banka Europiane i rriti 4 herë normat gjatë 2022-shit duke e çuar normën e depozitave në 2%. Banka qendrore në dhjetor tha se do të rriste më tej normat në vitin 2023 për të trajtuar inflacionin e lartë.

Të dhënat e fundit kanë treguar një ngadalësim të inflacionit edhe pse është përsëri mbi objektivin 2%.

Inflacioni i dhjetorit rezultoi 9.2% në Eurozonë. Muaji i dytë i radhazi me rënie, por përsëri Knot nuk mendon se janë të dhëna shumë inkurajuese.

“Ajo që ne kemi parë deri më tani janë të dhëna që nuk janë inkurajuese,” – tha ai në Forumin Ekonomik Botëror në Davos.

“Ne kemi parë një tjetër lexim të inflacionit ku nuk kishte shenja të zbutjes inflacioniste. Pra, ne duhet të bëjmë atë që do të duhet të bëjmë, dhe inflacioni bazë nuk ka ndryshuar plotësisht trajektoren në zonën e euros dhe kjo do të thotë se zhvillimet e tregut që kam parë, le të themi, dy javët e fundit apo më shumë nuk janë plotësisht të mirëpritura nga perspektiva ime. Unë nuk mendoj se ato janë në të vërtetë në përputhje me një kthim të objektivit 2%, ” – tha Knot.

Lojtarët e tregut presin që BQE të rrisë normat në shkurt. Pyetja më e rëndësishme është nëse banka qendrore bëhet shumë agresive me shtrëngimin e politikave të saj dhe kufizon rritjen ekonomike. Megjithatë, Knot e ka bërë të qartë se do të ketë të paktën dy rritje të tjera të normave.

“Pjesën më të madhe të asaj që duhet të mbulojmë, ne do të mbulojmë me një ritëm konstant të rritjeve të shumta prej 50 pikë bazë,” – tha ai.

“Nuk mund të them se ku do të përfundojë ai lloj ritmi i rritjes me 50 pikë bazë, por është shumë e qartë se presidentja jonë ka përdorur shumësin në formulimet e saj, unë po përdor shumësin këtu. Kështu që nuk do të ndalet pas një rritjeje të vetme prej 50 pikësh, kjo është e sigurt.”/CNBC


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë