Kosova

Precedenti?! Gjykata Europiane e Drejtësisë rrëzon KE për Kosovën

Në një kohë kur Kosova ka hyrë në një “luftë diplomacie” për të mbrojtur njohjet e saj, Gjykata Europiane e Drejtësisë anuloi vendimin për pjesëmarrjen e Kosovës në BEREC pas ankesës së Spanjës.

Nga Gazeta ‘Si’-Gjykata Europiane e Drejtësisë anuloi vendimin e Komisionit Europian për të lejuar pjesëmarrjen e Kosovës në Organin e Rregullatorëve Europianë të Komunikimeve Elektronike(BEREC) pas ankesës së Spanjës, një mosnjohëse e zëshme e Kosovës.

Në mars të vitit 2019, Komisioni Europian autorizoi disa vende të Ballkanit, duke përfshirë edhe Kosovën, një kandidate potenciale për anëtarësim në BE, që të merrte pjesë në BEREC.

Por fill pasi u miratuan disa marrëveshje stabilizimi dhe asociimi, Spanja nisi pengimin e pjesëmarrjes së Kosovës.

Ajo pretendoi përpara Gjykatës së Përgjithshme se vendimi i Komisionit shkelte dispozitën që lidhej me bashkëpunimin e BEREC me organet e BE-së, vendet e treta dhe organizatat ndërkombëtare, sepse Kosova nuk është “vend i tretë” sipas kuptimit të kësaj dispozite.

Gjykata e Përgjithshme u shpreh se koncepti i “vendit të tretë” nuk është i njëjtë me atë të “shtetit të tretë”, por ka një shtrirje më të gjerë që shkon përtej vetëm shteteve sovrane.

Edhe pse Gjykata e Përgjithshme fillimisht e refuzoi ankesën spanjolle, Spanja nuk u dorëzua, duke u ankuar në instancat më të larta.

Megjithatë për të mos rrezikuar pjesëmarrjen e Rregullatorit të Kosovës në BEREC, Gjykata ka vendosur që pjesëmarrja e Kosovës të vlejë deri në marrëveshjen tjetër me BEREC-un. Për këtë ka dhënë afat prej gjashtë muajsh.

Spanja, krahas Qipros, Rumanisë, Greqisë dhe Sllovakisë janë pesë shtetet anëtare të BE-së, që nuk e njohin Kosovën.

Ky vendim ndodhi gjatë fazës kur Kosova ka hyrë në një “luftë diplomatike” për të mbrojtur njohjet e saj.

Diplomatët kosovarë po zhvillojnë takime me homologë të tyre, nga vendet që Serbia pretendon se e kanë tërhequr njohjen e Kosovës.

Ministri i Jashtëm i Togos konfirmoi të hënën(15 janar) në Beograd tërheqjen e njohjes, ndërsa shefi i diplomacisë serbe pohoi se shtetet që e kanë bërë diçka të tillë janë 27.

Ministri i Punëve të Jashtme, Integrimit Rajonal dhe Diasporës i Togos, Robert Dussey dhe Vuçiç 

Zyrtarët kosovarë po bëjnë publike takimet e tyre me përfaqësuesit e disa prej shteteve, që gjenden në listën e prezantuar nga Vuçiçi, si pjesë e përpjekjeve për të hedhur poshtë pretendimet e liderit serb për tërheqjen e njohjeve.

Që nga shkurti i vitit 2021, kur u vendosën marrëdhëniet diplomatike me Izraelin, Kosova nuk është njohur nga asnjë shtet tjetër.

Dhe pavarësisht pretendimeve të Serbisë, autoritetet në Prishtinë nuk kanë ndryshuar numrin e njohjeve, duke thënë se janë 117 shtete që e njohin pavarësinë e saj.

Më 11 janar, ambasadorët e BE-së në Bruksel u njoftuan zyrtarisht për aplikimin e Kosovës nga ambasadori i Suedisë, shtet i cili kryeson presidencën aktuale të Këshillit Europian. Diskutimi ishte i shkurtër, ku ambasadori suedez informoi kolegët e tij, se të gjitha shtetet anëtare do të konsultohen në dy javët e ardhshme dhe se do të ketë një diskutim më të gjerë në fund të muajit për të vendosur potencialisht se si do të veprohet.

Tashmë është e qartë se ecja përpara me aplikimin e Kosovës do të jetë e vështirë, jo vetëm për arsyen se pesë vendet anëtare jonjohëse të BE-së ka të ngjarë të hezitojnë që të ndryshojnë qëndrimin e tyre, por edhe sepse Hungaria kohët e fundit ka shprehur kundërshtim ndaj çdo lëvizjeje që sugjeron anëtarësimin e ardhshëm në BE për Kosovën.

Ajo ka deklaruar se kjo mund të dëmtojë shanset që Kosova dhe Serbia të arrijnë një marrëveshje.

Ka presion që Suedia, gjatë Presidencës së saj aktuale të Këshillit Europian që përfundon më 1 korrik, të ndërmarrë veprime për aplikimin e Kosovës.
Kjo për faktin se Spanja, kjo mosnjohëse e pavarësisë së Kosovës, do të jetë vendi i radhës që do të marrë presidencën e BE-së dhe nuk ka gjasa që Madridi zyrtar ta trajtojë këtë çështje.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë