Kosova

Në Davos Lajçaku takon ndaras Kurtin e Vuçiçin, diskutuan për dialogun

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialog, Mirosllav Lajçak, takoi ndaras kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Takimet me dy liderët, më 18 janar, Lajçaku i zhvilloi ndaras në Forumin Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës.

Lajçak shkroi në rrjetin social Twitter se gjatë takimit me Kurtin diskutuan “për hapat e ardhshëm në dialog për normalizimin e marrëdhënieve dhe çështjet aktuale”.

Edhe në takimin e tij me Vuçiçin, u tha se u diskutua për situatën në rajon dhe dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.

Lajçak pritet që më 20 janar të vizitojë Kosovën, e më pas edhe Serbinë, për të përgatitur terrenin për vazhdimin e dialogut në nivel të lartë në Bruksel.

Ai do të jetë i shoqëruar nga emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, nga i dërguari i posaçëm i Francës, Emmanuel Bonne, dhe ai i Gjermanisë, Jens Plotner, njoftoi në një konferencë për media të mërkurën, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

Sipas burimeve në Bruksel, gjatë takimeve në Prishtinë dhe Beograd, fokusi kryesor do të jetë propozimi për një marrëveshje bazë dhe për organizimin e takimeve në nivel të lartë në dialog sa më shpejt që të jetë e mundur, në mënyrë që të arrihet një marrëveshje për këtë propozim.

Kosova është nën presion që të nisë punën për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, që sipas SHBA-së dhe BE-së, është obligim i Prishtinës.

Organizata gjermane, Friedrich-Ebert-Stiftung, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se ka hartuar draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë. Sipas tyre, ky draft “është një bazë e mirë, e cila pas publikimit meriton të diskutohet nga aktorët qeveritarë dhe joqeveritarë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë