Ekonomi

Tabaku propozon ndryshime në ligjin e koncesioneve dhe investimeve strategjike. Mbështetet nga Braçe, Qeveria: E shqyrtojmë 6 mujorin e dytë

Nga Gazeta ‘SI’ – Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku prezantoi në komisionin e Ekonomisë, disa ndryshime në ligjin për koncesionet dhe Partneritetin Publik Privat dhe në atë për Investitorët Startegjikë, pasi sipas saj, janë ligje që kanë lënë hapësira për abuzim dhe janë shfrytëzuar.

Në ligjin e koncesioneve, ku Tabaku përmend rastin e inceneratorëve dhe dëmin e tyre në buxhetin e shtetit, ajo kërkon vendosjen e transparencës si element kyç, duke publikuar një listë të përcaktuar dokumentesh, parandalimi i dhënies me koncesion apo PPP të fondeve publike ndaj qytetarëve të dënuar apo ndëshkuar për një set veprash penale ku përfshihen përveç të tjerash, korrupsioni, mashtrimi dhe pastrimi i parave.

Tabaku propozoi edhe forcim të mëtejshëm të kontrollit që do t’i japë përgjegjësi personale të çdo nëpunësi që merr pjesë në një procedurë për dhënien e një koncesioni/PPP. Si edhe detyrimi për dorëzim të një raporti financiar që gëzon kapacitetet e nevojshme për realizimin e projektit.

“Kjo nënkupton se operatori ekonomik duhet të zotërojë të paktën gjysmën e kapitalit të nevojshëm për realizimin e projektit si dhe burimet e ligjshme të kësaj shume, të cilat duhet të jenë deklaruar në organet publike dhe për të cilat janë paguar detyrimet tatimore. Operatori ekonomik skualifikohet automatikisht nëse nuk arin të provojë burimin e ligjshëm të ardhurave”,- shpjegoi Tabaku duke përmendur se zakonisht raportet financiare të tyre nuk përmbushin asnjë kriter ekonomik apo financiar për të përfituar miliona euro të buxhetit të shtetit.

Sipas saj, ndryshimet teknike janë të domosdoshme për të menaxhuar dhe mbajtur nën kontroll koncesionet dhe PPP që buxhetit të shtetit i kushtojnë mbi 2 mld euro dhe që vlera e kontratave të tyre ka shkuar rreth 50% e PBB-së sipas FMN.

Zv/ministrja e Financave, Vasilika Vjero, pjesë e komisionit, tha se Ministria do ta marrë në shqyrtim projektligji vetëm 6 mujorin e dytë të vitit dhe mund të miratohet deri në fund të tij.

Deputeti i PS-se, Erion Braçe ne komisionin e Ekonomise, 2023

Deputeti socialist, Erion Braçe, mbështeti ndryshimet e propozuara nga deputetja Tabaku duke shtuar disa detaje më shumë. Braçe tha se nëse MFE do ta lejë për 6 mujorin e dytë shqyrtimin e ligjit, atëherë të mos ketë më kontrata të reja apo rinovime të PPP-ve.

“Nëse do ta lemë për 6 mujorin e dytë, është logjike se edhe procedurat për rinovim të apo të reja të PPP-ve të shkojnë në fund të vitit. Se nuk ka kuptim me kontrata të reja kur në fund të vitit do të ndryshojnë rregullat.  Drafti juaj qëndron po t’i heqim politizimin. Inceneratorët janë në hetim. Fokusohuni më shumë tek pronarët përfitues. A do të ketë një kufizim për numër kontratash që përfiton një operator? Se nuk shkon, e mira publike duhet shpërndarë”, – tha Braçe.

Ndryshimet e propozuara në ligjin për investimet strategjike

Sipas deputetes së PD-së, ligji i investimeve strategjike është keqpërdorur, është antikushtetues dhe efekti i tij të ndalohet me 1 janar 2023. Tabaku propozoi edhe se duhet ndryshuar ndërhyja e shtetit në të.

“Shteti e konsideron si interes publik dhe shkon të shpronësojë tokat në interes për subjektin privat, ndërkohë që pronari i tokës mund të negociojë vetë. Ligji për investitorët strategjik, është ndryshuar 4 herë, i miratuar në 2015-n, kishte afatin final deri më 31 dhjetor 2018, por ai u ndryshua disa herë më vonë duke e lënë afatin përfundimtar të kërkesave për subjektet e interesuara deri më 31 dhjetor 2023”, – tha Tabaku.

Ajo përmendi se ligji e ka humbur funksionin e vet për diversifikim investimesh, pasi nga 36 investime strategjike, 27 janë në turizëm, ndër të cilat porti i Durrësit.

“Ky është abuzimi më i madh në çështjen e pronave. Kanë përfituar ata të lidhur me qeverinë jo të huajt, siç supozohej”, – tha Tabaku.

Për këtë propozim, deputeti Braçe ra dakord vetëm për ndërhyrjen e shtetit në investimet strategjike, që nuk duhet të ndodhë më, por nuk mbështeti nismën e Tabakut për ndalim të efektit të ligjit, sigurisht nëse ai përdoret për qëllime pozitive.

“Ka disa lloje operatorësh strategjikë, ata që shfrytëzojnë tokën e vet dhe ata që shfrytëzojnë tokën që u jep shteti. Unë jam kundër kësaj historie. Shteti nuk ka pse të ndërhyjë. Subjektet që vijnë le t’i nënshtrohen rregullave si të gjithë të tjerët. Duhet garë për këtë punë. Pse Tabakut e jo mua? Dhe pastaj duhet zbatimi i kontratave”, – përfundoi Braçe.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë