Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, tha në Forumin e Davosit se po përgatitej një ligj me objektiv industrinë e gjelbër të rajonit, me qëllimin për të bërë Europën shtëpi të teknologjisë së pastër dhe inovacionit.
“Ne do të paraqesim një ligj të ri Net-Zero Industry. Qëllimi do të jetë fokusimi i investimeve në projekte strategjike përgjatë gjithë zinxhirit të furnizimit. Ne do të shikojmë veçanërisht se si të thjeshtojmë dhe shpejtojmë dhënien e lejeve për vendet e reja të prodhimit për teknologjinë e pastër, ” – tha ajo në Forumin Ekonomik Botëror në Davos.
“Ne duhet të krijojmë një mjedis rregullator që na lejon të rritemi shpejt dhe të krijojmë kushte të favorshme për sektorët thelbësorë për të arritur zero emetime. Kjo përfshin erën, diellin, hidrogjenin e pastër, ruajtjen dhe të tjera.
Njoftimi vjen vetëm disa muaj pasi SHBA-ja lëshoi Aktin e vet për Reduktimin e Inflacionit. Legjislacioni gjithëpërfshirës i SHBA, i cili u miratua nga ligjvënësit amerikanë në gusht dhe përfshin një shpenzim rekord prej 369 miliardë dollarësh për politikat e klimës dhe energjisë, ka marrë disa përgjigje të zemëruara midis 27 vendeve të BE-së. Komisioni Europian, krahu ekzekutiv i BE-së, ka thënë më parë se ka “shqetësime serioze” në lidhje me hartimin e stimujve financiarë në këtë paketë.
BE dhe Shtetet e Bashkuara kanë qenë në mosmarrëveshje për disa muaj pas vendimit të Uashingtonit për të dhënë stimuj fiskalë për qytetarët që blejnë makina elektrike të prodhuara në Amerikën e Veriut. Kjo përbën një kërcënim për investimet në Evropë dhe ka bërë që kompanitë europiane të konsiderojnë zhvendosjen e mundshme në shtet.
Departamenti i Thesarit i SHBA-së lëshoi udhëzime në fund të dhjetorit që do të lejonte kompanitë e BE-së të përfitonin nga kredi të caktuara pa pasur nevojë të ndryshonin modelet e tyre të biznesit. Megjithatë, udhëzime të tjera se si do të zbatohet legjislacioni janë ende të pazgjidhura.
“BE-ja vazhdon të kërkojë trajtim të ngjashëm dhe jodiskriminues të prodhuesve të automjeteve të pastra të BE-së sipas Aktit për Reduktimin e Inflacionit për Kreditë e Veturave të Pastra. Kjo skemë mbetet shqetësuese për BE-në, pasi përmban dispozita diskriminuese”, tha Komisioni Evropian në një deklaratë në fund të dhjetorit.
Duke folur për CNBC në fillim të kësaj jave, kryeministri spanjoll Pedro Sanchez tha gjithashtu se Evropa duhet të mësojë nga Shtetet e Bashkuara kur bëhet fjalë për mbështetjen e industrive të saj të gjelbra.
“Ne duhet të reformojmë disa aspekte të brendshme të politikave tona industriale, si ndihma shtetërore, reduktimi i burokracisë dhe përpjekja për të dërguar një mesazh për industrinë në mbarë botën se është Europa, dhe sigurisht Spanja, ky është një vend i mirë për t’u vendosur,” tha Sanchez për CNBC.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



