Futboll

Kampioni Skaloni i hap derën Spanjës: Do ta drejtoja me kënaqësi

Gazeta Si – Trajneri kampion bote me Argjentinën, Lionel Skaloni, nuk e përjashton mundësinë për të drejtuar “Furitë e kuqe” në të ardhmen.

“Të drejtoj Spanjën? Pse, jo? Më ka dhënë shumë, është shtëpia ime e dytë. Çdo argjentinas do të thoshte të njëjtën gjë, sepse na kanë trajtuar jashtëzakonisht mirë. Ndihem pjesë e këtij vendi, por Spanja do të bënte mirë të kishte trajner spanjoll”, – ka thënë Skaloni në një intervistë për ‘Cadena Cope’.

Trajneri Skaloni dhe Lionel Mesi. Gazeta Si, 17 janar 2023

“Botërori ishte një film dhe një udhëtim i pabesueshëm. Çelësi i kampionatit ishte ta shijonim atë, duke e ditur sa e vështirë do të ishte për këdo që do ta fitonte”, – ka shtuar Skaloni. Ai ka pohuar se që kur është kthyer nga Katari nuk e ka parë më finalen.

“Deri në minutën e 80-të e dija që do ishte një ndeshje spektakolare, ndërsa më pas ishte ndryshe. Kam në mendje imazhet e ndeshjes, mëkat që nuk e mbyllëm për 90 minuta”, – ka shtuar Skaloni.

Për preferencën mes Maradonës dhe Mesit, dy lojtarëve më të rëndësishëm të historisë së Argjentinës, trajneri u shpreh: “Nëse duhet të zgjedh njërin, preferoj Mesin, me të cilin kam diçka speciale. Është ai më i miri i historisë, edhe pse Maradona ka qenë i madh. Të stërvitësh Mesin nuk është e vështirë. Në nivelin teknik nuk mund të korrigjohet, për të presuar dhe ‘vjedhur’ topa është numri 1”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë