Gazeta Si – Federata Shqiptare të Futbollit dhe Ministria e Arsimit e Sportit firmosën sot një marrëveshje bashkëpunimi në kuadër të projektit “Programi i Futbollit për Shkollat”. Një projekt që realizohet me mbështetjen e FIFA-s. Marrëveshja u firmos nga presidenti i FSHF-së Armand Duka dhe ministrja Evis Kushi.
Tani do të ngrihet një grup i përbashkët pune për koordinimin e programit, që do të zbatohet në 116 shkolla të Shqipërinë.
Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, për këtë projekt mes të tjerash theksoi: “Ky është një nga projektet më të rëndësishme për edukimin e fëmijëve nëpërmjet sportit, është një projekt pilot, i pari në botë dhe që bëhet në Shqipëri.
Ishte një insistim i ministres Kushi, që në takimin që kishim për inaugurimin e ‘Shtëpisë së Futbollit’, që t’i kërkonte presidentit të FIFA-s një projekt për shkollat dhe ia arriti për të gjithë fëmijët e Shqipërisë. Futbolli nuk është thjesht kompeticion, është shumë i rëndësishëm për edukimin e të gjithë brezave të rinj.
Kemi kohë që kemi insistuar të kemi futboll në shkolla, por ja që u desh ky takim i ministres Kushi me Infantinon për ta realizuar. Jemi në një bashkëpunim shumë të mirë, në më të mirin me Ministrinë e Arsimit dhe Sporteve, për të ndihmuar futbollin e fëmijëve. Këtë vit, si asnjëherë tjetër në Shqipëri do të zhvillohen 10 turne europianë. Projekti që po firmosim sot jam shumë i bindur që do ta shtojnë numrin e fëmijëve që merren me sport”.
Edhe ministrja Kushi e vlerësoi këtë nismë: “Gjatë vizitës së presidentit të FIFA-s, Xhani Infantino, patëm mundësinë të diskutojmë për shumë projekte, jo vetëm për mbështetjen e futbollit në Shqipëri, por edhe për më shumë mundësi e mbështetje për futbollin në shkolla. Që të nesërmen me FSHF-në kemi nisur nga puna për të hartuar projektin dhe marrëveshjen që firmosim sot.
Një projekt që konsiston në shumë aspekte, por i fokusuar kryesisht në krijimin e ekipeve të futbollit në shkollat 9-vjeçare. Është një projekt që do të mbështetet totalisht nga FIFA. Në fazën e parë përfshihen 116 shkolla 9-vjeçare, për djem dhe vajza. Në fazën e dytë do të përfshihen edhe 416 shkolla të tjera. Qëllimi është të identifikohen dhe të mbështeten talentet, por mbi të gjitha, ky është një projekt që mbështet edhe familjet shqiptare”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




